Një paketë turistike me itinerarin e Edward Lear në Shqipëri. E pohon minisri i turizmit Blendi Klosi nga ekspozita e çelur në Muzeun Historik Kombëtar ku janë ekspozuar veprat e piktorëve shqiptarë dhe riprodhimet e piktorit anglez që udhëtoi nga veriu në jug të vendit në shekullin e 19-të. “Kemi ndërtuar tashmë një itinerar të ri turistik për vendin tonë se ku ka pikturuar Edward Lear, ku ka qëndruar dhe për ta ofruar si paketë turistike edhe te turistët që vijnë sot, nga e gjithë bota.”- tha ministri Klosi duke shtuar se në vendet ku ka qenë Edward Lear “të realizojmë një vepër të hapur publike që turistët dhe shqiptarët të sodisin veprën e vjetër por të gjykojnë edhe mbi realitetin e ri.”


Veprat ndërtojnë një mozaik me peisazhe natyrore në kohë të cilat nëpërmjet artit përcjellin një vlerë të jetës së dikurshme shqiptare që për ministrin Klosi vlen të rivitalizohet jo vetëm për turizëm por edhe për të treguar vlerat europiane të Shqipërisë. “Në debatin e madh të Shqipërisë europiane të evidentojmë pas shekujsh momentet europiane të Shqipërisë. Edward Lear ka qenë një piktor europian i cili vizitoi Shqipërinë dhe nëpërmjet teknikës dhe peisazhit të asaj kohe, ka fiksuar shenja të europianizmit shqiptar të rreth 200 viteve më parë, të një jete normale dhe një komuniteti që bëjmë shumë mirë që ta rivitalizojmë”- tha ministri Klosi.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Turistëve duhet t’u ofrojmë historinë tonë, traditën, guidat profesionale dhe pse jo edhe artin e piktorëve shqiptarë bashkëkohorë duke shfrytëzuar çdo hapësirë për produkte të reja turistike. Diversifikimi i ofertës turistike do të rrisë jo vetëm numrin e turistëve, por edhe kohën e qëndrimit të tyre në Shqipëri. Në mbështetje të këtij atraksioni të ri turistik ministri Klosi inauguroi një javë më itinerarin e udhëtimit të Edward Lear në Krujë.


Deri më sot falë projektit të Institutit të Librit dhe Promocionit janë vendosur 15 tabela informuese turistiko-kulturore në: Elbasan, Shkodër, Tiranë, Krujë, Durrës, Berat, Apoloni, Vlorë, Dukat, Himarë, Palasë, Drimadhes, Vuno, Tepelenë dhe Gjirokastër të gjitha këto vende ku qëndroi dhe pikturoi Lear (Eduard Lir). Guida turistiko- kulturore në dy gjuhë tashmë është në dispozicion të udhërrëfyesve turistikë.

Ekspozita ofron riprodhimet e punimeve origjinale të Edward Lear dhe punët më të mira nga 500 pikturat shqitpare të realizuara mbi tablotë e lëna nga piktori dhe shkrimtari anglez. “Edward Lear pushtoi zemrat e intelektualëve dhe artistëve me penel dhe ende na mban fort me artin e tij” – tha piktori Kujtim Buza, një prej 100 piktorëve bashkëkohorë shqiptarë që u përfshinë në koloninë e piktorëve të peisazhit “Në gjurmët e Edward Lear”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb