Në mbledhjen e datës 12 dhjetor, Këshilli i Ministrave mori dhjetra vendime për alokim fondesh për nëntë bashki, për procesin e rindërtimit nga tërmeti i vitti 2019-ës dhe investime publike.

Nga rreth 10 miliardë lekë (89 milionë euro) të alokuara nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara 6.6 miliardë janë destinuar për bashkinë Tiranë të përcaktuara si grante individuale, rikonstruksione ose riparime pallatesh, shkolla, rindertime terësore, etj..

Bashkitë e tjera që përfitonin grante individuale për pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 dhe fonde për investime publike në prag të zgjedhjeve të reja vendore janë Durrësi, Vora, Shijaku, Kruja Kamza, Kurbini, Lezha dhe Mirdita.

Po ashtu qeveria vendosi me 29 dhjetor të shpërndajë në formë shpërblimi me lekë në dorë 8 miliardë lekë për afro 1 milionë qytetarë shqiptarë për një sërë kategorish, duke nisur nga pensionistët, infermierët, familjet në nevojë e të tjerë.

E quajtur “Pakoja e Madhe” shpërndarja e këtij fondi u argumentua nga kryeministri Edi Rama si një masë zbutëse e inflacionit të çmimeve. Ndryshe e sheh këtë paketë kreu i opozitës Sali Berisha, i cili e sulmoi nismën si një “pilulë elektorale”.

Vendimet për alokimin e këtyre fondeve janë marrë vetëm pesë muaj para zgjedhjeve për pushtetin vendor të cilat mbahen më 14 maj. Megjithatë, kjo rishapërndarje masive e buxhetit të shtetit bëhet përpara afatit ligjor që ndalon përdorimin e fondeve publike si shpërblime ose akte të tjera që ndikojnë drejpërdrejt tek votuesit.

Neni 91 i Kodit Zgjedhor, i ndryshuar me marrvëshje politike në vitin 2020, parashikon se “katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re paszgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive, të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.

Shpërndarja e granteve individuale për zbutjen e pasojave të tërmetit ishte prezente edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2021-it duke ngritur pikpyetje për mënyrën se si Partia Socialiste e përdor qeverisjen për të ndikuar tek vendimi i votuesve.

Aktivistët e shoqërisë civile e shohin shqetësuese këtë praktikë në prag të zgjedhjeve dhe i konsiderojnë fondet për bashkitë si një planifikim elektoral, jo të ndikuara nga interesat e publikut./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: