TIRANE

Në deklaratën për mediat, ish-presidenti Alfred Moisiu, prezantoi pikat e platformës që sipas duhet zgjidhin ngërcin politik në vend. Ish-kreu i Shtetit akuzoi forcat politike se kanë vendosur interesat personale e partiake mbi interesat e vendit, ndaj theksoi më tej se kjo situatë duhet të marrë fund përmes një Pakti Kombëtar për Integrimin që synon:

“Ne vlerësojmë se kjo situatë duhet të marrë fund përmes një reformimi të thellë dhe një pakti kombëtar për integrimin. Mbi këtë bazë, ne u drejtohemi publikisht institucioneve dhe partive politike, grupeve me ndikim publik dhe cilitdo që ka një zë në vendimmarrjen politike për:

1. Mbrojtjen e integritetit të institucionit të zgjedhjeve, duke vlerësuar se vetëm përmes votës së lirë, të fshehtë, të ndershme e të pacenuar mund të arrihen ndryshime pozitive, stabilitet, legjitimitet dhe demokraci funksionale afatgjatë;
2. Pranimin e faktit se ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008 prishën ekuilibret kushtetues dhe sollën pasoja negative në sistemin tonë përfaqësues, për pasojë, pranimin e anullimit ose korrektimit të tyre të plotë;
3. Ndryshimin e procesit zgjedhor për ta bërë atë më legjitim, si dhe zgjedhjen e Presidentit drejtpërsëdrejti nga qytetarët;
4. Forcimin e kompetencave të institucioneve që garantojnë kushtetutshmërinë dhe japin garanci ndërmjetësimi e zgjidhjeje të konflikteve të mundshëm institucionalë, duke hequr dorë nga pritshmëria që të gjitha krizat tona të zgjidhen me ndërhyrje nga jashtë;
5. Në funksion të rritjes së besimit te procesi politik dhe zgjedhor, forcat politike kryesore të rikthehen në dialog institucional, në mënyrë që të ndryshohet korniza ligjore, përfshirë edhe kushtetutën, mbështetur në praktikat më të përshtatshme të botës së lirë lidhur me:

  • a. Garantimin e zgjedhjeve të lira, të fshehta e të ndershme përmes një strukture qeverisëse gjatë procesit zgjedhor, të tillë që mos ndikojë në fushatën elektorale nëpërmjet përfitimit nga funksioni i saj shtetëror;
  • b. KQZ dhe të gjitha organet e tjera vartëse të respektojnë kërkesën ligjore për depolitizim; në to të zgjidhen individë nga institucione që janë larg politikës, numëruesit e votave të mos jenë përfaqësues apo militanitë të partive politike, për të evituar çdo konflikt interesi përkundrejt rezultatit të votimit, dhe për këtë të merret përvoja e vendeve të zhvilluara;
  • c. Të hetohen individët e përfshirë në skandale të trafikut të votës dhe të forcohet legjislacioni penal për ndëshkimin e abuzuesve dhe të shkelësve të rregullave zgjedhore;
  • d. Të respektohen rregulla strikte për financimin e partive dhe të vendosen ndëshkime penale për rastet e abuzimit dhe shkeljes së rregullave;
  • e. Të forcohen masat ndëshkimore sipas Kodit të Sjelljes, që gjatë debateve politike në kuvend e jashtë atij të respektohen standartet etike të sjelljes.

6. Për qëllimet e mësipërme Kuvendi, në bashkëpunim me shoqërinë civile, të zgjedhë një Komision të Posaçëm, të përbërë nga njerëz të pa angazhuar politikisht, si juristë, intelektualë, përfaqësues të medias, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të biznesit e të tjerë njerëz me integritet politik dhe moral, të cilët të hartojnë e të propozojnë ndryshimet përkatëse kushtetuese dhe ligjore.
7. Politika Shqiptare të hartojë një Pakt Kombëtar, ku të përcaktohet niveli në të cilin do të lejohet të bëhen ndryshime në administratë në rastet e ndryshimit të pushtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb