Nga: ARTUR MEÇOLLARI*
Nëse Marrëveshja Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, e fi rmosur nga dy qeveritë në Tiranë më 27 prill 2009 dhe rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me Vendimin Nr. 15 datë 15 prill 2010, do të cenonte vetëm integritetin territorial të Shqipërisë dhe nuk do të krijonte implikime ndërkombëtare, nuk kishte asnjë arsye përse diplomacia ndërkombëtare të përfshihej. Ajo do të ishte thjeshtë një çështje shqiptare.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Greqia synonte arritjen e objektivit të saj strategjik për krijimi i një precedenti në të drejtën ndërkombëtare dhe destabilizimin e regjimit juridik detar në Detin Egje, në favor të zgjerimit të pretendimeve të saj territoriale detare. Regjimi juridik detar aktual në Detin Egje është jetik për lëvizshmërinë e anijeve të forcave detare të fuqive të mëdha detare, por edhe për shtete të tjera të interesuara. Si gjatë negociatave, por edhe mbas firmosjes së marrëveshjes më 27 prill 2019, disa shtete partnere të interesuara, si SHBA, Turqia dhe Italia dhanë mesazhe të qarta se marrëveshja nuk ishte bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Është fakt se diplomacia ndërkombëtare u implikua në çështjen e Marrëveshjes detare me Greqinë, por kjo jo për shkak se kishte dëshirë ta bënte një gjë të tillë. Shqipëria kishte “futur hundët” në një çështje që jo vetëm nuk i takonte, por edhe me risk të lartë. Shqipëria në dukje pa vetëdije, por me sa duket me ndërgjegje po i hidhe benzinë zjarrit, pa i ditur pasojat e veprimeve të saj.
Diplomacia ndërkombëtare u implikua me kapacitet të plotë në çështjen e Marrëveshjes detare me Greqinë pas firmosjes së saj. Nga ana e Shqipërisë dhe Greqisë, kjo marrëveshje është mbajtur e fshehtë jo vetëm në termat e saj teknikë, por edhe për faktin që ishte duke u negociuar. Ishte “Gazeta Shqiptare” e cila e denoncoi e para këtë marrëveshje disa ditë përpara se ajo të firmosej.
Mbajtja e fshehtë e “negociatave” që po bëheshin për arritjen e një marrëveshjeje kaq të rëndësishme është e pajustifikueshme. Natyrisht, strategjia e negocimit, modalitetet dhe element të karakterit teknik mund të ishin burim informacioni për publikun e gjerë. Por një pyetje shtrohet logjikshëm. Përse duhej mbajtur i fshehtë fakti që ishte duke u negociuar një marrëveshje detare me Greqinë? Ka vetëm një argument. Kapja në befasi e të gjitha palëve të interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare. Pra, vënia e tyre përpara faktit të kryer. “E gjithë lufta është e bazuar në mashtrim”,– Sun Zu.
Duket se të dyja qeveritë ishin të interesuara për mbajte të fshehtë të marrëveshjes. Përderisa kjo marrëveshje ishte e kushtëzuar për Shqipërinë me anëtarësimin e saj në NATO dhe ratifikimin e MSA-së dhe duhej të arrihej në kohë rekord, nuk duhet të shfaqeshin detaje, por vetëm përfundimi i saj, i cili do të shpallej edhe si një sukses i jashtëzakonshëm i diplomacisë të dy vendeve. Një strategji e tillë do të shmangte çdo dyshim mbi faktin nëse ishte një marrëveshje e negociuar apo e imponuar, si dhe nuk do të kishte më kohë për të bërë verifikimet e nevojshme mbi impaktet që do të shkaktonte.
Në periudhën maj-dhjetor 2009, kur marrëveshja tashmë ishte fakt i kryer, pati angazhim të faktorit ndërkombëtar, publikisht dhe jopublikisht, angazhim i cili e vuri në pozicion të vështirë Qeverinë e Shqipërisë. Nga raportimet mediatike si dhe ato jozyrtare rezulton se shtetet e angazhuara në lidhje me termat e marrëveshjes së arritur midis Shqipërisë dhe Greqisë ishin Italia, Turqia dhe SHBA.
Angazhimi i Italisë
Italia duket se nuk ka qenë e përfshirë direkt në çështjen e marrëveshjes detare me Greqinë, por dhe nuk ka heshtur. Në një intervistë të dhënë nga konsulli i Përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Sergio Strozi, ai shprehet se “Pakti mbi ndarjen e kufirit detar është një çështje dypalëshe. Në këtë fazë të këtij pakti është e parakohshme nga ana e shtetit italian të formulojë vëzhgime mbi këtë argument kaq delikat, që duhet mbështetur, vlerësuar e verifikuar në momentin e duhur”. Kjo deklaratë duket evazive, por kërkon të japë një mesazh. Italia nuk është e kënaqur me këtë marrëveshje. Po pse? Për të kuptuar pozicionin e Italisë duhet të kuptojmë cila është politika italiane lidhur me Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) dhe specifikisht në lidhje me regjimin detar të Detin Egje.
Italia është një nga fuqitë e mesme detare, por është një nga fuqitë më të mëdha rajonale detare në Detin Mesdhe. Ruajtja e lirisë së lundrimit të anijeve të saj luftarake është thelbësore për interesat e Italisë në Detin Mesdhe, duke përfshirë edhe Detin Egje. Po ashtu, në periudhën e Luftës së Parë Botërore, Italia si pushtuese e një seri ishujsh në Detin Egje ka qenë e përfshirë në stabilizimin e regjimit detar mbi ishujt, përfshirje e cila kulmoi me Protokollin e Përbashkët të Ekspertëve me Turqinë në vitin 1932, e cila edhe sot është e vetmja marrëveshje midis Greqisë dhe Turqisë në këtë rajon.
Megjithatë, regjimi detar në Detin Egje nuk përbën argumentin kryesor të përfshirjes së Italisë në Marrëveshjen detare me Greqinë. Në pikëpamjen time, kundërshtitë e Italisë mbi marrëveshjen janë të lidhura me delimitimin e kufijve të zonave ekskluzive ekonomike midis dy vendeve, delimitim i cili është fshehur në marrëveshje me termin “dhe hapësirave të tjera detare”.
Italia ka pasur dy qëndrime të ndryshme lidhur me zonën ekonomike ekskluzive (ZEE) dhe shellfin kontinental. Italia nuk e njeh mënyrën e delimitimit të kufijve të ZEE dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për krijimin e ZEE të saj. Po ashtu, nuk e njeh edhe mënyrën e delimitimit të kufijve të shellfit kontinental, por deri përpara hyrjes në fuqi të UNCLOS 1982, më 16 nëntor 1994, Italia ka nënshkruar, në bazë të Konventës mbi shellfit kontinental të vitit 1958, marrëveshje mbi delimitimin e shellfit kontinental me pothuajse të gjitha vendet fqinjë detar, përveç Libisë.

Për shkak të pozicionit dominues në Detin Mesdhe, mund të themi se është Italia, ajo që ka bllokuar aplikimin e UNCLOS 1982 për delimitimin e ZEE. Franca dhe Spanja kanë arritur një marrëveshje për delimitimin e kufijve të ZEE në Oqeanin Atlantik, por nuk mund të arrijnë një marrëveshje të tillë dypalëshe në Detin Mesdhe pa pjesëmarrjen edhe të shteteve të tjera, duke përfshirë edhe Italinë. Po ashtu Maroku, Algjeria, Tunizia, Libia, Egjipti dhe Siria, të cilat janë anëtare të Këshillit të Përgjithshëm të Peshkimit në Mesdhe, janë të interesuara për delimitimin e kufijve të ZEE në këtë det, duke formuluar se “është në interes të të gjitha shteteve për të pasur të drejta sovrane mbi burimet e tyre, të cilat vijnë nëpërmjet institucionalizimit të ZEE”.
Në vitet 2003-2004 Italia ka pasur kundërshti me Kroacinë lidhur me shpalljen nga kjo e fundit në mënyrë të njëanshme të zonës së saj ekskluzive ekonomike. Mbas negociatave të gjata, Kroacia modifikoi me ligj emërtimin e kësaj zone në “Zonë të mbrojtur për përshkimin dhe mjedisin”, term i cili nuk i garanton Kroacisë të drejta sovrane mbi burimet e peshkimit dhe ato natyrore në zonë, por i garantoi hyrjen në BE.
Qëndrimi i Italisë mbi platformën kontinentale dhe veçanërisht me ZEE lidhet me përparimet teknologjike që Italia zotëron. Meqenëse Italia nuk është në pararojë të teknologjisë për zbulimin dhe shfrytëzimin e pasurive nëntokësore detare, për ruajtjen e këtyre pasurive nga shtete me teknologji më të përparuar, ajo është e interesuar në delimitimin e shelfit kontinental. Por, meqenëse flota e peshkimit e Italisë është më e fuqishme dhe më e përparuar teknologjikisht se flotat e fqinjëve të saj detarë, nuk është në interes të Italisë të delimitojë ZEE.
Admiral Fabio Caffio, një nga ekspertët më të mirë italianë për të drejtën e detit, në botimin e tij “Glossario di Dirito del Mare” thekson se “përsa i përket institucionalizimit të një ZEE italiane mund të themi se, duke mbajtur në konsideratë orientimin e doktrinave akademike, një iniciativë e tillë nuk këshillohet për Italinë, nuk është e përshtatshme nga pikëpamja e interesave tregtare dhe peshkimit, jo e mundshme për shkak të ekuilibrave gjeopolitikë në Detin Mesdhe, si dhe nevojat për moskufizimin e lëvizshmërisë së Flotës Detare, që mund të krijohen nga kufizimet e njëanshme të shteteve fqinje me ZEE”.
Ky është pozicioni i Italisë deri në vitin 2010, pasi situata tashmë ka ndryshuar dhe po ashtu, qëndrimi i Italisë mbi delimitimin e ZEE. Mbas vitit 2003 Qipro ka arritur marrëveshje për delimitimin e ZEE me Izraelin (17 shkurt 2003) dhe Egjiptin (17 dhjetor 2010). Zhvillimet e fundit në Detin Mesdhe kanë bërë që Italia të modifikojë pozicionin e saj lidhur me ZEE. Sipas informacioneve të besueshme, Greqia së fundmi i ka kërkuar Italisë arritjen e një marrëveshjeje për delimitimin e ZEE sipas vijës delimituese të shelfit kontinental të marrëveshjes së 24 majit 1977. Italia është duke e shqyrtuar me seriozitet kërkesën greke.
Angazhimi i Turqisë
Më 18 tetor 2009 mbërriti në Tiranë për një vizitë zyrtare ministri i Jashtëm i Turqisë, Z. Ahmet Davutoðlu. Zyrtarisht u fol se Z. Davutoðlu erdhi në Tiranë për t’i komunikuar Qeverisë së Shqipërisë vendimin e Qeverisë së Turqisë për heqjen e taksës prej 10 Euro për të gjithë qytetarët shqiptarë që hyjnë në Turqi. Gjatë kësaj vizite “simbolike” në dukje, në një ditë të diel pushimi, Z. Davutoðlu pati një axhendë shumë të ngjeshur, duke takuar ministrin e Jashtëm Z. Ilir Meta, kryeministrin Z. Sali Berisha, kryetaren e Parlamentit Z. Jozefina Topalli, si dhe Presidentin e Republikës Z. Bamir Topi. Të gjithëve u komunikoi “lajmin” e heqjes së taksës së hyrjes në Turqi për shqiptarët.

Por, mbas largimit të z. Davutoðlu pati edhe një njoftim të dytë. Ai kishte modifikuar datën e vizitës së Presidentit të Turqisë z. Abdullah Gyl në Shqipëri, të parashikuar për t’u zhvilluar në muajin qershor 2010. Vizita e Presidentit Gyl ishte afruar me gjashtë muaj dhe do të zhvillohej më 10 dhjetor 2009. Çfarë kishte ndodhur?

Në fakt, ministri i Jashtëm i Turqisë, z. Davutoðlu, kishte ardhur me një axhendë tjetër. Turqia ishte e shqetësuar për Marrëveshjen Detare që Shqipëria kishte arritur me Greqinë. E gjendur në errësirë të plotë gjatë fazës së “negocimit”, Turqia kishte vendosur të lëvizte shpejt. Tashmë gjendja e luftës midis Turqisë dhe Greqisë varej nga Shqipëria.
Qeveria shqiptare kishte mbi pesë muaj e gjendur nën presionin e opinionit publik dhe ekspertëve të fushës për arritjen e një marrëveshjeje në dëm të integritetit territorial detar të Shqipërisë. Ishin bërë edhe përllogaritjet. Bëhej fjalë për lëshimin e rreth 350 km2 hapësire detare. Tashmë Shqipëria gjendej në një situatë të vështirë me partnerin e saj strategjik, Turqinë. Po i ndizte fitilin në luftën e ardhshme me Greqinë. Pikërisht Turqisë, e cila me gojën e ish- kryeministres, znj. Tansu Çiller në vitin 1997, kishte deklaruar hapur mbështetjen, edhe ushtarakisht, për mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë nga kërcënimet e mundshme të Greqisë.
Por, duket se vizita e ministrit të Jashtëm të Turqisë e dha efektin. Shqipëria nuk do ta çonte në luftë Turqinë me Greqisë. Groteske, por e vërtetë. Shqipëria për shkak të një gabimi fatal, të nxituar dhe të papërgjegjshëm, po kthehej si qendra e një konflikti të vjetër, por shumë larg prej tij. Pas mesit të tetorit 2009, Qeveria e Shqipërisë modifikoi qëndrimin dhe deklaratat publike lidhur me marrëveshjen e arritur me Greqinë. Vazhdonte ta konsideronte të ligjshme, por do të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, proces i cili kishte nisur tashmë me kërkesë të Partisë Socialiste.
Më 10 dhjetor, Presidenti i Turqisë, z. Abdullah Gyl mbërriti në Tiranë. Çfarë ai bisedoi me z. Bamir Topi, e dinë ata të dy. Por ka një fakt që nuk mund të shmanget. Presidenti i Shqipërisë u shpreh për marrëveshjen me Greqinë në krah të presidentit Gyl. Në një intervistë të mëparshme të datës 26 nëntor 2009, z. Topi ishte shprehur se “nëse marrëveshja që është nënshkruar midis Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e ujërave territoriale përmban gabime në hallkat nëpër të cilat ka kaluar dhe do të kalojë, atëherë ai nuk do ta dekretojë atë si ligj”. Presidenti duket se kishte informacione të plota, por ai në parim u shpreh se marrëveshja ishte arritur pa transparencën e nevojshme dhe pa plotfuqi nga ana e tij.
Angazhimi i SHBA-ve
Në mbrëmjen e 21 tetorit 2009, me rastin e ardhjes së një delegacioni të Departamentit të Mbrojtjes në Shqipëri, ambasada e SHBA shtroi një darkë zyrtare te hotel “Mondial”. Në këtë darkë ishte i ftuar Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Maksim Malaj. Për arsye të programit të ngjeshur, Gjeneral Malaj nuk mund të merrte pjesë dhe autorizoi pjesëmarrjen e Kundëradmiral Kristaq Gerveni, në atë kohë i sapoemëruar Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Gjatë darkës një diplomat i ambasadës së SHBA, me inicialet J.C., i deklaroi Kundëradmiral Gervenit se “marrëveshja duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detit”.
Kur amerikanët shprehën hapur dhe qartë pozicionin e tyre mbi marrëveshjen detare me Greqinë kishin kaluar më shumë së pesë muaj nga firmosja e saj në prezencë të dy kryeministrave. Gjatë kësaj periudhe ambasada e SHBA dhe vetë ambasadori Xhon Widher i Dytë kanë qenë të angazhuar në njohjen e problemit dhe kishin dijeni mbi kushtin e vënë nga Greqia për mbajtjen a amerikanëve larg saj.
Mbas publikimit të dokumenteve nga Wikileaks, u verifikua se një zyrtare e lartë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, me inicialet L.H. i kishte deklaruar në vitin 2008 një punonjësi të ambasadës së SHBA se “ishin urdhëruar për të mbajtur të fshehtë ndaj amerikanëve negocimin e marrëveshjes”. Ka të dhëna të besueshme se personeli i ambasadës së SHBA ka kontaktuar disa ekspertë shqiptarë dhe ka marrë opinionet e tyre lidhur me ketë marrëveshje.
Të gjitha këto shqetësime ambasadori i SHBA në Shqipëri John Withers II i ka transmetuar në Washington nëpërmjet disa kabllogrameve, por më shqetësuesi është ai i datës 9 tetor 2008. Në këtë kabllogram ambasada e SHBA shprehet qartë se “Greqia i kishte vendosur dy kushte Shqipërisë për marrëveshjen: amerikanët të mbahen larg dhe arritja e saj është kusht për hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe ratifikimin e MSA-së”.

Kabllogramet e dërguara nga Withers drejt Washingtonit nuk paraqesin vetëm fakte lidhur me kushtet e vendosura nga Greqia, por edhe shqetësime të shprehura nga anëtarë të grupit negociator. Një prej tyre shprehet i pakënaqur me “standardet e dyfishta” lidhur me metodologjinë e përdorur për vijën e drejtë bazë. Duket qartë se grekët kanë bërë presion jo vetëm për çështje politike, por edhe teknike të marrëveshjes. Pakënaqësia e anëtarëve të grupit negociator dëshmon se anëtarë të caktuar të grupit kanë pranuar dhe i janë nënshtruar presionit.
Po në një tjetër kabllogram të ambasadës së SHBA dhe pikërisht atë të datës 10 shkurt 2010, ambasadori Withers i referohet një funksionari të ambasadës së Greqisë në Tiranë, Z. Vikelidis, i cili lidhur me përbërjen e grupit negociator të Shqipërisë është shprehur se ata ishin “ajka e ajkës” në kuptimin e ekspertizës ligjore, detare dhe ushtarake.
Nga analiza e mësipërme rezulton dhe nuk ka asnjë mëdyshje se ambasada e SHBA ishte e shqetësuar për impaktin që kjo marrëveshje mund të kishte në destabilizimin e regjimit detar në Detin Egje. Ky shqetësim përputhet plotësisht me politikën detare të ndjekur nga SHBA, duke nisur nga viti 1979, politikë e cila synon garantimin e lirisë globale të lundrimit dhe lëvizshmërinë e anijeve të Forcave Detare të SHBA. Nëse do të destabilizohet regjimi detar në Detin Egje, kjo do të thotë që anijet ushtarake të SHBA nuk mund të lundrojnë më lirshëm në korridoret ndërkombëtare ekzistuese në këtë det, por duhet të kufizohen duke lundruan në përputhje me regjimin e lundrimit paqësor nëpër detin territorial të Greqisë.
Mesi i muajit tetor 2009 ishte i rëndësishme për të ardhmen e Marrëveshjes detare me Greqinë. Termat e kësaj marrëveshjeje ishin “negociuar” me ndërgjegje të plotë. Duket se anëtarë të veçantë të grupit negociator kontrollonin strategjinë e “negocimit” dhe kishin dijeni të plotë për objektivat e pritshëm të marrëveshjes. Shpejtësia dhe fshehtësia e veprimeve të lë të kuptosh se për disa anëtarë të grupit objektivat strategjike të Greqisë kishin më shumë rëndësi se interesat kombëtare të Shqipërisë.
Opinioni publik me zërin e ekspertëve të pavarur kishte kohë që argumentonte për një marrëveshje të padenjë në dëm të integritetit territorial të Shqipërisë dhe e hartuar nga “tradhtarë”. Por të gjitha këto ishin të pamjaftueshme që qeveria të ndryshonte qëndrim. Duhet të ndodhnin disa ngjatje të njëpasnjëshme në muajin tetor 2009 që qeveria të “tërhiqej me nder” nga një marrëveshje të bërë në shkelje të procedurave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, të panegociuar dhe që kishte cenuar integritetin territorial të Shqipërisë. Diplomacia ndërkombëtare kishte vepruar dhe në sinkron të plotë. Vizita e ministrit të Jashtëm turk më 18 tetor 2009, deklarata e diplomatit të SHBA më 21 tetor 2009, si dhe deklarata e konsullit italian në Vlorë më 27 tetor 2009 ishin mesazhe të qarta: Marrëveshja detare me Greqinë ishte bërë në shkelje të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Shqipëria kishte hyrë në një kundërshti të panevojshme në Detin Egje.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 15 prill 2010 ishte një vendim historik. Ai ruajti të pacenuar integritetin territorial detar të Shqipërisë, por ruajti edhe dinjitetin e shtetit shqiptar në marrëdhënie me partnerët e saj strategjikë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të bënte të reflektonin të gjithë ata që u përfshinë në këtë marrëveshje. Mungesa e pendesës së tyre është po aq e rëndë sa edhe vetë marrëveshja.
* Kapiten i Rangut të Parë (Ret)

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: