Krahas përgjysmimit të tarifave shkollore, pakti për universitetin u mundësoi në prill 48 studentëve të ekonomisë, të porsadiplomuar nga universitetet shtetërore me rezultate të larta(të quajtur studentë të ekselencës) nisjen e punës pa konkurs në Administratën e Përgjithshme Tatimore të vendit. Pak, por është diçka. Po për 1.4 milionë të punësuarit në shtet dhe në privat(duke përjashtuar të vetëpunësuarit), a mund t’ju ofrojë diçka kjo qeveri? Mos duhet edhe ata të ngrihen në greva dhe protesta, që qeveria të mendojë një pakt edhe për ta? Vetëm gjatë vitit 2018, 27 punonjës kanë humbur jetën në vendin e punës. Shumica, për shkak të kushteve të pasigurta të punës. Ndërkohë, mijëra të tjerë punojnë me orë të zgjatura, duke mos u paguar për orët shtesë. Punuan 30 mijë punëtorë edhe në ditën e 1 majit, por askush nuk u dha pagesë shtesë për punë në një ditë pushimi. Askush nuk proteston masivisht për paga që nuk rriten prej vitesh me radhë. Paga minimale mbetet më e ulëta në rajonin tonë(26 mijë lekë ose 212 euro). Ndërkohë, punësimi i të miturve dhe ai informal vazhdojnë të mbeten në nivele shqetësuese. Dialogu social, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, ndodhet në nivelin më të ulët në të gjithë Europën. Baras me atë të Moldavisë. Janë me dhjetëra mijëra punëtorët që punojnë pa gëzuar pushimin javor, festat zyrtare dhe pushimet vjetore. Që nuk marrin pagesa për paaftësi të përkohshme në punë dhe mbrojtje në rast të aksidenteve në punë. Siguria dhe shëndeti në punë janë lënë jetimë, kumte pa kuptim të një legjislacioni pune(ligji nr. 10237, datë 18 shkurt 2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”), i cili nuk njihet nga punëdhënës e punëmarrës, e jo më të zbatohet. Strukturat shtetërore që duhet të ndjekin zbatimin e tij, në veçanti Inspektorati Shtetëror i Punës dhe ai Shëndetësor flenë në të gjitha stinët një gjumë dimëror ariu. Askush nuk sheh rritjen e rasteve me sëmundje kronike profesionale, si problemeve kronike të frymëmarrjes, të spondiliatrozës, të dhimbjes së kokës, gjymtyrëve dhe problemeve të infeksioneve të lëkurës.

Të 1.4 milionë punonjësit shqiptarë e meritojnë një Pakt për Punën, të cilën edhe mund ta iniciojë qeveria, sikurse bëri për studentët. Për ngritjen e këshillave të punëtorëve(nën shembullin e shkëlqyer gjerman). Këto janë struktura qe mbikëqyrin zbatimin e kontratave kolektive dhe funksionimin real(jo formal) të këshillave të shëndetit dhe të sigurisë në punë(detyrim ligjor). Janë konsideruar me vlerë të shtuar dhe të pazëvendësueshme edhe në vende si Gjermania e Sllovenia, me sindikata të fuqishme që i mbrojnë drejtpërsëdrejti anëtarët e tyre. Të mendosh sa të domosdoshme që janë këtu tek ne! Kryeministri sapo është kthyer nga shteti ndër më socialët në botë, nga Gjermania. Duhet ta mendojë një pakt edhe për punën. Nëse nuk e mendon, ato pak struktura të vogla, por reale sindikaliste tek ne(Sindikata e Postë-Telekomit Shqiptar, Sindikata e Re e Naftëtarëve Shqiptarë, etj.) duhet t’ia sjellin në mendje. Shtetet sociale të BE-së kanë instaluar bazat ligjore dhe organizative për dialogun social. Nëse duhet të ngjasojmë me to, këtë mund ta japim shumë shpejt si shenje me miratimin e ligjit për këshillat e punëtorëve. Do të ishte një ogur i mirë për vendimin për hapjen e bisedimeve për anëtarësim që e shpresojmë të gjithë të merret këtë vit. Kemi vetëm dy nene të shkëputura për këshillat e punëtorëve, në ligjin “Për Shoqëritë Tregtare”. Ka ardhur koha t’i vendosim mirëfilli bazat e dialogut social edhe ne. Këshilli i Punës është një strukture e fryrë kallpe që nuk vendos përballë njeri-tjetrit përfaqësuesit realë të punëdhënësve dhe të punëmarrësve tek ne. Ndërsa donatorët për këshillat e punëtorëve i kemi. Janë fondacioni gjerman Friedrich Ebert dhe fondacioni suedez Olof Palme International Center. Jo rastësisht këto dy struktura të dy ndër shtetet më sociale në botë, shpenzojnë fonde edhe tek ne.

Duhet përgatitur ligji për këshillat e punonjësve. Ato nuk janë për t’u bërë karshillëk sindikatave që kemi(dikush thotë se kemi “sindi-kaka” dhe jo sindikata, duke nënkuptuar dinosaurët e bashkimeve sindikaliste që vetëm përfaqësues realë të punëtorëve nuk janë. Në Gjermani si sindikatat edhe këshillat e punonjësve bashkëpunojnë. Plotësojnë njëra-tjetrën. Një sindikatë e madhe nuk kontrollon dot zbatimin e kontratës kolektive të punës, sigurinë dhe shëndetin në punë, për ndërmarrje të vogla. Prandaj dhe duhen strukturat e zhdërvjellëta të këshillave të punëtorëve. Tek ne këshilli mund të vlejë edhe për zbatimin e kontratave individuale të punës, për kompanitë shumë të vogla që kemi. Tek ne lëvizja sindikaliste fle gjumë, ashtu e nanurisur mes bashkimeve të vjetra sindikaliste, që u ka ngelur ora. Duhen struktura të reja e të zhdërvjellëta. Këshillat e punonjësve mund ta luajnë më së miri këtë rol. Mund të sjellin shpresë dhe nevojë reale për bashkim në lëvizjen tonë sindikaliste. Mund të mposhtet frika për humbjen e punës, pse kërkon të drejtat e tua. Në një ndërmarrje private të fasonit, punonjëset që u përpoqën të krijonin një sindikatë u pushuan nga pronari. Sigurisht u gjetën shkaqe të tjera, gjoja mos performanca e duhur në punë. Dhe frika mbizotëron në sektorin shtetëror e privat. Edhe tek ndërmarrjet tona shtetërore, sidomos ato në formën e shoqërive anonime, drejtori sillet si pronar. Ka ardhur koha të ngremë këshillat e punonjësve. Të instalojmë paktin e munguar të punës dhe dialogun e vërtetë social. Për këtë, qeveria duhet të na japë një dorë. Nëse e ka seriozisht me kthimin e shpresës se ky vendi ynë bëhet./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: