Turbinën, atë pa art, e ka dhe fjalori. Ndërsa ArTurbina është tjetër, larg alemit të së përkufizueshmes. ArTurbina sot qe “rrotë e madhe me bosht të fortë e me fletë rreth e rrotull, që, duke u vërtitur rreth propagandës qeveritare, provoi të vërë në lëvizje gjeneratorin e universiteteve. Estetikisht Turbinës sot i mungoi arti më shumë se çdo herë tjetër, por shenja pati plot! Le t’i shohim shenjat e asaj që kryeministri e quajti “shfaqje me shumë fytyra”.

Tema e takimit qe Pakti për universitetin; megjithatë, diskutimi nuk u bë në ndonjë aulë universitare, por në një sallë teatri të improvizuar rishtazi. Ma do mendja se të pranishmit nuk mund të mos e kenë përjetuar një grimë drithme, kur në mendje mund t’u jetë përvijuar ndonjë paralele mes fatit të godinës së Teatrit Kombëtar dhe fatit të universiteteve shtetërore. Sa për paktin në ArTurbinë, nëse i bëjmë shenjat bashkë, rezultati është Pakti teatral për universitetin.

Fiks si në teatër, ministrat, të cilët e kanë rutinë të punës së tyre vënien në skenë të propagandës qeveritare, kësaj radhe e patën edhe sfondin e duhur për të shpalosur aftësitë mbushamendëse. E zeza sterrë pas shpinës së tyre, dhe dritat lëbyrëse bënin që fytyrat t’u dukeshin qumështore e marazplota, teksa u binin rreth e rrotull temave të të ngujuarve, profesorëve, studentëve, protestuesve. I gjithë halli i turbinës na qenkësh të vërë në lëvizje gjeneratorin (e universitetit!). Ministrat mund t’i klasifikoje lehtësisht dhe sipas përvojës në inskenim. Disa fort të sprovuar e dinin mirë ku t’ia ngulnin sytë kamerës, për të parë kësisoj fiks te zemrat e popullit, të atij bashkëqeverisësit qerrata. Zëri i tyre dilte bindës, me pauza të matura të njeriut që e di mirë ç’po bën. Të vështirë e patën ama ministrat e rinj! Ata nuk e kanë përvetësuar ende teknikën fol sa më shumë, lëviz duart si profesionist televizioni, mos pusho së foluri e mëso të shtirësh shpengimin. Akustika e sallës ua amplifikoi luhatjet e zërit prej emocioneve të të folurit në publik dhe jo në mjedis dosido, po në një skenë teatri. Ç’fat! Dje u betuan ministra, sot në krye të detyrës në ArTurbinë. Bëjini bashkë shenjat, rezultati na del ministraktorë!

Profesorë, pedagogë, kastë, studentë, ekselentë, nëntadhjetësh, ndihmës, suflerë të gjithë u vunë ta ndiqnin shfaqjen. Pakti duhej shpjeguar. Hapni veshët të interesuar, indiferentë e të ngujuar! Ky pakt ka sekretin e suksesit të universitetit (formulën e suksesit e keni te Ligji i Arsimit të Lartë, po s’ditët ta lexonit)! Kështu foli ai, Kryeministri. Herë si pjesë e publikut, herë si folës, herë si regjizor; herë si “ja ligji” e herë si “Maliqi”. Fort i sforcuar për të mos i tendosur kordat e zërit në atë atmosferë të nderë. Mori përsipër si në shumë raste të tjera të bënte një rol që duket se ia ka ënda, rolin paternalist! Një studenteje i tha “ti mund të ishe vajza ime”, të tjerëve u tha “ju jeni fëmijët tanë”, një tjetre i foli si ati i inatosur vajzës së pagdhendur që kthen fjalë “mund të dalësh dhe përjashta”. Por paternalizmi u shfaq me vezulli skenike, kur u prezantua koncepti mrekullibërës i fakulteteve në patronazh të ministrive. O pater! Ç’pater! Tani që fakulteteve fatlume u doli bafti e iu gjet nga një at bamirës, problemi mori fund, bojkoti të zhbëhet, pedagogët të heshtin. I bashkoi vetë shenjat: protestën e vërtetë, prapëseprapë, do ta bëjë po vetë, ai pater-kryeministri!

ArTurbina, shemra e Teatrit Kombëtar, që sot do të hyjë edhe në historinë tonë universitare, si vendi ku mësuam se sa joartistikisht mund të rreket propaganda “t’i ndezë gjeneratorin” një institucioni, teksa e kërcënon për autonominë e tij. Shenjat, të padjallëzuarat, që s’rrinë dot pa njëra-tjetrën, të çojnë prapë te ligjërimi paternalist: “Se shumë m’i ke ngritur nervat, mos më bëj të vij unë aty! Dhe sillu mirë, përndryshe ta harrosh atë lodërzën (autonominë)!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb