Policia greke ka ndaluar në kufi shkrimtarin e njohur nga Çamëria, Arben Kondi. Kondi tha në News 24 se ‘arsyeja’ e ndalimit ka qenë se nuk ka pasur një dokument, ndërkohë që kishte të gjitha dokumentacionet e nevojshme për të kaluar kufirin dhe për të shkuar në Pargë. Shkrimtari u shpreh se Greqia vepron kështu, pasi do që të shuajë çështjen çame. Ai iu ka bërë thirrje institucioneve shqiptare, që të reagojnë për këtë ngjarje.

Arben Kondi: Unë dhe bashkëshortja ime donim të shkonim në Parga. Në orën 9 e pak shkuam në Qafë Botë. Në pikën doganore në Shqipëri nuk kishim problem. Ndërsa, pala greke na vulosi pasaportën dhe kaluam. Pa kaluar as 6 minuta, ndërsa po merreshin vulat e kalimit nga pjesëtarë të agjencisë turistike, time shoqen e shqetësojnë dy oficerë grekë. I thanë që do vish me ne. Oficerët grekë më folën me gjuhë te egër e brutale. Edhe udhëtarët e tjerë që donin të shkonin në Pargë u shqetësuan. Oficerët e doganës greke thanë a keni person që flisni greqisht. Më thanë që për arsye të mungesës së dokumenteve nuk mund të shkoni në Pargë.

Nuk e kuptoj se çfarë dokumentesh duheshin. Unë e njoh Çamërinë, jo vetëm përmes krijimtarisë sime, por e njoh mirë. Kjo nuk më ka ndodhur asnjëherë. Njëherë tjetër, më parë më është vënë pas një makinë e rojeve kufitare greke. Shteti grek do që të zhbëjë çështjen çame. Greqia do të zhbëjë gjenocidin që ka ndodhur 80 vite më parë. Shqipëria është në pozicionin inferior, nuk jemi të fuqishëm. Vetëm imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse do ishte ndaluar një krijues grek në kufi.

Alket Veliu, president i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”: Ky nuk është rast i shkëputur. Sot është shumë e vështirë që një shqiptar i Çamërisë të shkojë të vizitojë shtëpinë ku ka lindur. Çamët e kanë vështirë të shohin vendin e të parëve. Më vjen keq për heshtjen e institucioneve shqiptare. Ne presim që shteti shqiptar të zgjohet për çështjen çame. Nëse do të heshtim, raste si ai që i ka ndodhur Arbenit do kemi dhe në të ardhmen. Cila është ai dokument që e ka kërkuar Greqia dhe nuk e ka Arbeni? Duket justifikim më tepër, sepse nuk tregohet cili dokument mungon.

 

(d.xh-Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: