Palestina dhe Armenia kanë njoftuar zyrtarisht vendosjen e marrëdhënieve diplomatike që synojnë forcimin e lidhjeve dypalëshe në të gjitha nivelet, transmeton Anadolu.

Sipas zyrës së kryeministrit palestinez, Mohammad Mustafa, njoftimi vjen në margjinat e seancës së 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që po mbahet në New York.

Kryeministri palestinez vlerësoi njohjen e Armenisë për shtetin e Palestinës, duke e konsideruar si një “investim real në paqe” dhe një hap praktik drejt mbështetjes së zgjidhjes me dy shtete që synon t’i japë fund pushtimit izraelit dhe krijimit të një shteti të pavarur palestinez.

Mustafa gjithashtu shprehu mirënjohjen për votat pozitive të Armenisë për rezolutat që lidhen me Palestinën.

Më 21 qershor, Ministria e Punëve të Jashtme e Armenisë njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke e bërë Armeninë vendin e 149-të që ndërmerr këtë hap të rëndësishëm.

Së fundmi, vende si Spanja, Norvegjia dhe Irlanda gjithashtu njohën shtetin e Palestinës, pas luftës shkatërruese izraelite në Gaza që filloi tetorin e vitit të kaluar.

Duke shpërfillur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar me ofensivën brutale në Gaza pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar..

Që atëherë, të paktën 41.600 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 96.200 të tjerë janë plagosur.

Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb