Analisti Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në “Neës 24” tha se lëkundjet nga tërmeti ndahen në pjesën natyrore, për të cilën nuk mund të bëhet gjë, si dhe në pjesën ku njeriu ka pjesën e tij me veprime ose mos-veprime karshi natyrës.

Lubonja theksoi se në Durrës janë lëkundur e tundur pallate të larta, pasi ata janë ndërtuar me babëzi, shpesh në zona ku nuk lejohet të ndërtohet. Sipas Lubonjës, filozofia jonë ka qenë që të kafshojmë tokën, të grabisim sa më shumë natyrën e se filozofi e tillë duhet të marrë fund.

Filozofia jonë e trajtimit të kësaj toke që na është dhënë është ta kafshojmë sa të mundim, për të nxjerrë fitime sa më të lart5a. Mos harroni se ka ndodhur tmerr psikologjik, me pallate të larta që tunden e shkunden, teksa një mike e imja tha fëmijët ishin tmerruar. Thamë a do nxjerrim mësim. Mos harrojmë se këtu ka interesa të mëdha, ndaj është e vështirë të nxjerrim mësime. Ata ndërtesa që janë shembur, a kemi ne institucione që Instituti Sizmologjik të thotë që ndërto ose jo këtu. Kush është përgjegjës, kush firmos. A ka kryearkitekt bashkia. Për objektet e shembura, duhet të përgjigjen sizmologët. Nxori problemet e shtetit, që duhet të kemi institucione pa konflikt interesi.

Publikja është sakrifikuar në emër të privates, por duhet që të forcohet publikja e jo privatja. Kanë faj edhe koncesionarët, ndoshta tërthortazi, me lejet që jepen. Për ndërtimet, duhet të respektohet çdo kriter. Ne duhet të bëjmë atë që na takon ne e jo atë që i takon natyrës, sepse ajo nuk parashikohet. Trauma psikologjike është një traumë që nuk duhet anashkaluar. Një shprehje e urtë thotë bëje shtëpinë sa ç’është pema. Këtu tek ne është ngritur filozofia që të grabis sa të mundem rreth e rrotull”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja theksoi se tërmeti ka krijuar edhe një shok psikologjik. Ai tha se reflektimi ndaj të tilla dukurive natyrore duhet të jetë më i madh.

“Tërmetin e 1968 e kam përjetuar në Dibër. Sigurisht ky tërmet është më i madh. Tregon se ka qenë një tërmet goxha serioz. Durrësi dimë se është një qytet që ka pësuar disa herë tërmete, madje dhe është zhdukur, në vitet 500, por ne si përvojë nuk e kemi, besoj se është për herë të parë. Ka dy pjesë, njëra pjesë është ajo e pllakave. Askush nuk e di si lëvizin ata pllakat. Ana tjetër është se tregon sesa të përgatitur jemi. Por kam idenë se reflektimi do jetë i pakët. Sa herë e kemi thënë se të ndërtosh pallate në bregdet është keq nga shumë pikëpamje, turistike, e erozionit, por duke pasur edhe parasysh se është zonë sizmike. Duhet të mësojmë  nga kjo traumë”, deklaroi Lubonja.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb