TIRANË- Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame ka dalë sot para mediave për një problem të mprehtë të qindra qytetarëve që ka të bëjë me pallatet e braktisura. Lame tha se qeveria i ka dhënë zgjidhje një problemi të një çerek shekulli. Sipas tij, ALUIZNI ka hartuar një ‘listë të zezë’ të ndërtuesve që nuk kanë shlyer detyrimet dhe kanë mashtruar qytetarët. Kjo listë do iu dërgohet bashkive por edhe tatimeve.

“Problemi me pallatet e braktisura është një problem që prej vitit 1993-1994 dhe vazhdon ende të japë probleme. Por për herë të parë një qeveri shqiptare e ka marrë përsipër këtë problem. Janë 1200 objekte të evidentuara. Janë 102 pallate të legalizuara deri më sot me 8892 banesa. Në rang republike, gati gjysma e lejeve të ndërtimit rezulton me shkelje.
Ne kemi bërë një listë të ndërtuesve që nuk kanë shlyer detyrime. ‘Lista e zezë’ do iu dërgohet bashkive, drejtorive të tatimeve për të bërë bllokim të llogarive, AZHK-së dhe shoqatës së ndërtuesve. Këta ndërtues duhet ta shohin njëri-tjetrin në sy dhe t’i thonë njeri-tjetrit kush është burrë i mirë dhe kush mashtron qytetarët”, deklaroi Lame.

DEKLARATA E PLOTË
Vjet në janar Qeveria miratoi VKM 19/2017 “Per përcaktimin e rregullave të legalizimit te objekteve me leje ndertimi, ne te cilat jane kryer shtesat dhe/ose ne lartësi ose ndryshime të funksionit te hapesirave te objekteve shumekatëshe pa leje”, ose siç njihet nga publiku “Për pallatet e braktisura nga ndërtuesit”.

Pritja e qytetarëve ndaj kësaj nisme të qeverisë ishte e jashtëzakonshme. Problemi është i lindur që prej viteve 1993-94 dhe vijon ende. Për herë të parë, një qeveri shqiptare e ka marë përsipër këtë problem dhe filloi ta trajtojë.

Disa statistika:
Statistika lame

Përfundimisht, 102 objektet e legalizuara deri më sot, kanë 8182 banesa, me gjithsej 736.000 m2 ndërtim.

Ndërkohë që, 85 pallate të tjera janë në procedurë e sipër, kush më perpara e kush më ngadalë, në plotesimin e dokumentacionit tekniko-juridik.

Në rang Republike, afërsisht gjysma e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Bashkitë, rezultojnë me shkelje.

Nga pikëpamja administrative, mund të them se ky proces, është një prej problematikave më të komplikuara që mund të ndeshet një administratë.
Ky proces nuk ka të bëjë vetëm me institucionin tonë dhe vetëm me një apo dy dokumenta.
Ky proces përfshin një mori institucionesh të tjera si, Njësitë e Qeverisjes Vendore (ish bashkite e komunat, të cilat kanë miratuar këto leje ndërtimi), zyrat e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme, Institutin e Monumenteve te Kulturës (pasi jo rrallë ndeshemi me ndërtime të kryera në zona ansambël muzeale), ka të bëjë me sistemin gjyqësor, me përmbaruesit, me sistemin bankar, etj.

Dua të theksoj fort se, rastet kur subjektet ndertues nuk tregojnë interes, puna që duhet të kryeje ALUIZNI-t, eshte tepër e madhe krahasuar me numrin e punonjesve, mundësite logjistike si dhe ngarkesën e madhe që duhet te perballojnë.
Këtë e them se ndërkohë, nuk punojmë vetem për pallatet me leje të shkelur, por për të gjitha ndërtimet apo shtesat informale në përkatesi administrative.

Masa në vazhdim
Janë të shumta subjektet që vazhdojnë të luajnë si macja me miun, duke na sjellë vërdallë neve si institucion, duke sjellë vërdallë edhe qindrat e qytetarëve.
Dhe nga ana tjetër, shohim që një pjesë e këtyre subjekteve apo ndërtuesve, të paraqiten pranë Bashkive përkatëse dhe të aplikojnë sërisht për leje të tjera ndërtimi, për të marrë në qafë të tjerë pronarë trojesh e të tjerë qytetarë.
Në këto kushte, ne do të fillojmë t’i përcjellim bashkive listat e këtyre subjekteve, duke ju kërkuar që këto shoqëri apo këta persona, të mos pajisen me leje të reja ndërtimi, pa shlyer detyrimet dhe pa mbyullur procesin e legalizimit për objektet tashmë të ndërtuara prej tyre.

Po e fillojmë këtë proces me Bashkinë Tiranë.
Unë kam këtu një listë me 341 subjekte /persona, për po kaq objekte, e cila po sot di t’i përcillet zyrtarisht Bashkisë Tiranë dhe do t’i kërkohet pikërisht kjo që thashë edhe më sipër: Asnjë leje ndërtimi e re për këto subjekte, pa përmbyllur pallatet e ndërtuara deri më sot.

Jam i bindur që do të gjejmë mbështetjen e Bashkisë në këtë proces, pasi mbyllja e këtij procesi, do të zgjidhë hallin e mijëra familjeve në Tiranë që vijnë vërdallë prej vitesh.
Nga ana tjetër, bllokimi i këtyre subjekteve do të ndihmonte që të mos lejonim që këta persona të bënin sërisht dëm, duke marrë leje të reja ndërtimi, pasi miu po kaloi një here nën mustaqe e bën udhë.

Ditë pas dite, ky proces i hartimit dhe dërgimit pranë bashkive të listës së zezë me ata që ju kanë nxirë jetën qytetarëve, do vijojë edhe qytetet e tjera.

Lista e Zezë e subjekteve, do ti dërgohet:
-Bashkive;
-Drejtorisë së Tatimeve;
-AZHT-së (Agjensia e Zhvillimit të Territorit;
-Shoqatës Ndërtuesve.

Në gjithë këtë proces, kemi të bëjmë me një matje force midis paligjshmërisë dhe nesh që po përpiqemi ta zgjidhim. Ju kërkoj qytetarëve të jenë në anën tonë dhe të na ndihmojnë.
Vazhdoni t’u bëni presion këtyre ndërtuesve.
Mos blini shtëpi prej tyre, pa mbaruar punë paraprakisht me dokumentacionin.
Nëse merrni vesh që kanë ndërruar emër subjekti apo administrator dhe vazhdojnë të aplikojnë në Bashki për leje të reja, denoncojini pranë nesh. Ujku ndërron qimen, por jo zakonin.

Përtej këtyre masave administrative, dëshiroj t’i drejtoj një thirrje ndërgjegjes së vetë këtyre personave.
Unë nuk arrij ta kuptoj se si është e mundur për një ndërtues që, pasi të mbledhë paratë nga qytetarët, të çajë ferrën e t’i lërë ata në mes të udhës?!
Nuk arrij ta kuptoj për një person, se si mund të shesë dy apo tre herë të njëjtin apartament?!
Si është e mundur që, edhe duke patur gjithë impenjimin tonë për t’i ndihmuar në këtë proces, të vazhdojnë të na sjellin vërdallë?!

Sidoqoftë, kjo është një thirrje për ndërgjegje, e cila si e tillë mbetet për t’ia drejtuar secili prej tyre vetes.
Ne si Institucion, dhe unë personalisht, do të vijojmë të jemi në anën e qytetarëve në këtë proces torturues, por të domosdoshëm.
Së bashku me qytetarët i kemi hyrë kësaj rruge dhe së bashku me ta do ta përfundojmë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb