TIRANE– Një ditë pasi qeveria miratoi 4 vendime që lidhen me pronat dhe legalizimin e banesave, kreu i ALUIZN-it Artan Lame bëri disa njoftime të rëndësishme.

Në një konferencë për mediat, Lame bëri me dije se ditën e nesërme do të publikohet lista me emrat e përfituesve nga kalimi i pronësisë së parcelave. Po ashtu ai deklaroi ditën e hënë qytetarët duhet të paraqiten pranë drejtorive të ALUIZN-it për të përfunduar procesin e legalizimeve. Mes të tjerash kreu i ALUIZN-it u bëri thirrje të gjithë ndërtuesve që kanë braktisur pallatet ku kanë ndërtuar, që të paraqiten pranë drejtorive për të vijuar procedurat për legalizime.

“Vjet, në muajt e parë të vitit, në kuadër të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, Qeveria vendosi të merrte disa masa për të shmangur ndikimin e veprimtarisë rutinë të adminstratës në procesin zgjedhor. Ndër këto masa, ishte edhe bllokimi i miratimit të qeveri të VKM-ve me listat e qytetarëve që ju kalonte pronësia e parcelave ndërtimore për ndërtimet pa leje si edhe VKM-të për miratimin e shpërblimit për pronarët e vjetër të këtyre parcelave të tokës. Ky proces bllokimi, u përforcua më pas, edhe me marrveshjen politike të 17 majit, dhe vijoi disi për inerci deri pas formimit të qeverisë së re në shtator 2017. Ky bllokim artificial i procesit të legalizimeve, krijoi një stok qytetarësh të cilët kishin përfunduar procesin administrativ e legalizimit përmes ALUIZNI-t, por që nuk mund ta përmbyllnin atë për shkakun e mësipërm.

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë të mbajtur në Gjirokastër, u miratuan 4 Vendime Qeverie, që evadojnë pjesën më të madhe të këtij stoku të mbartur. Bëhet fjalë për klalimin e pronësisë për 361.000 m2 me mbi 2000 familje, të shpërndara në të gjitha qarqet e vendit, nga Shkodra deri në Sarandë. Gjithashtu, njëri prej vendimeve të miratuara në mbledhjen e djeshme, miraton shpërblimin financiar në shumën prej 311 milion lekë, për për 1968 pronarë dhe trashëgimtarë, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtime pa leje. Duke filluar nga nesër, në faqen zyrtare të ALUIZNI-t, në faqen tonë në FB, si edhe në gazetat e nesërme, do të gjeni listat e qytetarëve përfitues. Kështu, me kënaqësi lajmëroj të gjitha familjet që prej gati një viti presin kalimin e parcelës së pronësisë, se ky proces tashmë ka përfunduar. Ftoj qytetarët që kanë qenë në pritje gjatë kësaj periudhe dhe që do të gjejnë emrin në këto lista, që duke filluar nga dita e hënë, të fillojnë të paraqiten pranë drejtorive tona rajonale, për të përmbyllur procedurat e legalizimit.

Sot dua të bëj një thirrje të fundit edhe për një çështje tjetër.

2. Siç jeni në dijeni, vjet në janar Qeveria miratoi një prej vendimeve më të rëndësishme në fushën e formalizimit të ndërtimeve, vendimin 19/2017 siç njihet zakonisht për legalizimin e pallateve të braktisura nga ndërtuesit.
Gjatë kësaj periudhe jemi ndeshur në shumë vullnet qytetarësh për ta çuar përpara procesin, por edhe në një pafundësi makinacionesh nga ndërtuesit për t’ju shmangur procesit. Të gjendur në këtë situatë të vështirë, ALUIZNI është duke planifikuar një masë ekstreme, e cila mund të dëmtojë rëndë interesat e sotme të këtyre ndërtuesve. Në këto kushte, ju bëj thirrje për herë të fundit ndërtuesve, subjekteve apo personave që kanë ndërtuar pallate dhe më pas i kanë braktisur, që kanë ende një javë kohë për t’ju përgjigjur thirrjes tonë tashmë mbi një vjeçare, për t’u impenjuar në procesin e legalizimit. Javën tjetër, përmes një konference shtypi, do të publikojmë masën ekstreme që do të ndërmarrim në interes të qytetarëve për këtë çështje”, tha Lame.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: