TIRANE – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Aleksandër Meksi ka humbur një proces civil gjyqësor me disa pronarë të truallit të pallatit ku banon. Gazeta “Shqip” shkruan sot se Gjykata ka rrëzuar një kërkesë të Meksit, të familjeve të Safet Zhulalit, Pjetër Arbnorit, apo disa ish-deputetëve dhe akademikëve të njohur, të cilët kërkonin privatizimin e truallit të dy pallateve ku banojnë, në afërsi të Presidencës, që dikur ka qenë rezidenca e Ambasadës së Bashkimit Sovjetik. Gjykata thotë se kërkesa e tyre është e pabazuar në ligj e prova dhe si e tillë, truallin ua ka njohur familjarëve të ish-pronarëve M.B dhe H.D.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, thuhet se 21 familjet që banojnë në dy pallatet në fjalë, kërkonin konstatimin tërësisht të pavlefshëm të vendimeve respektive të KKKPP-së, dalë në favor të trashëgimtarëve të dy ish-pronarëve. Argumenti ishte se, në cilësinë e pronarëve të apartamenteve, të ndodhura në dy pallatet e ndërtuara në rrugën “Ibrahim Rugova”, sipas lejes së ndërtimit të vitit 1958 për selinë e ambasadës sovjetike, ata gëzojnë interesin e ligjshëm të privatizimit të sipërfaqeve, për të cilat dy vendimet e KKKPP-së objekt gjykimi, kanë qenë në favor të trashëgimtarëve.
PALET
Banorët: Sipas palës paditëse, ana funksionale e sheshit nuk ndryshon me ndryshimin e përdoruesit të godinës, pasi ajo përcaktohet që në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit.
Trashëgimtarët e dy ish-pronarëve kanë pretenduar se pronësia e truallit gjen pasqyrim në dokumentacionin e pronësisë së ZVRPP-së Tiranë dhe nuk ka asnjë njollë apo fshirje të saj deri në vitin 1948.
Gjykata: me ndryshimin e destinacionit të godinave, sipërfaqet e truallit përreth tyre konsiderohen të lira dhe me të drejtë u janë kthyer fizikisht pronarëve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: