DURRES

Drejtori dhe disa specialistë të institutit të ndërtimit në Tiranë janë kërcënuar nga 2 persona në emër të pronarit të pallatit 28 katësh te Shkëmbi i Kavajës në Durrës, Enver Shala. Burime pranë Institutit të Ndërtimit thonë se kërcënimi i inxhinierëve u bë pas një studimi që ky institut bëri me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, për këtë ndërtesë të lartë në breg të detit.

Kërkimet 6 mujore të Institutit dolën në përfundimin se ndërtimi është i paqëndrueshëm dhe se kërkohen ndërhyrje emergjente, siç mund të jetë heqja e disa kateve apo përforcimi i strukturave. Burime nga instituti i thanë News24 se nuk është ky institucion që merr vendim për prishjen e një objekti. Instituti ka kompetencë vetëm studimin e ndërtesave dhe nxjerrjen e  konkluzioneve mbi strukturat e tyre. Megjithatë kjo nuk e ka penguar pronarin e godinës në breg të detit, që të kërcënojë inxhinierët, të cilët kanë bërë denoncim në policinë e Tiranës.


Historia e ndërtesës 28 katëshe te Shkëmbi i Kavajës nuk është e re. Në vitin 2017 konstruksionet e 3 kateve të fundit shtesë u shembën, duke rrezikuar jetën e punëtorëve dhe të banorëve. Enver Shala u ndalua nga Policia e Durrësit dhe u hetua në gjendje të lirë për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.


Të njëjtit pronar në vitin 2013 i është prishur edhe kompleksi Kamelia në Durrës. Ai po ashtu është ndërtuesi i një tjetër pallati gati 30-katësh në afërsi të Portit të Durrësit, ku 8 kate shtesë janë pa leje. Disa herë janë ndërmarrë iniciativa nga autoritetet lokale dhe qendrore për të ndërhyrë në shtesat e kateve që ka bërë ky sipërmarrës në objektet e ndërtuara prej tij, por në asnjë rast nuk është vepruar.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb