GJIROKASTËR- Banorët e pallatit në lagjen Kodra e Shtufit në Gjirokastër kanë thyer vendimin e evakuimit të marrë për ta 2 ditë më parë pas rrëshqitjes së një masivi dheu që përfshiu 3 katet e para të godinës 8-katëshe dhe kanë hyrë në banesat e tyre pavarësisht rrezikut që iu kanoset.

Ata pretendojnë se evakuimi nuk është shoqëruar me strehim për ta duke i lënë 21 familje në rrugë.
Mbrëmjen e sotme banorët janë ngritur në protestë duke kërkuar strehim, por sipas tyre prefekti dhe kryetarja e bashkisë i kalojnë topin njeri-tjetrit dhe nuk është gjendur zgjidhje.

“Nuk kemi ku të flemë, duam të kthehemi në banesa. Fajtorin ta gjejë shteti, ne duam strehim”, thotë një banor.

Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se bashkia iu ka ofruar si strehë konviktin e Pedagogjikes, por nuk e pranojnë. Ata thonë se është i papërshtatshëm dhe duan të merren masa që të pastrohen shtëpitë.

“Njëri ia hedh topin tjetrit. Prefekti na tha ikni poshtë se do iu japin shtëpi me qira. Vajtëm poshtë ajo ka ngritur duart lart se nuk ka lekë të na japë as për qira e as për gjë. Po rrimë në baltë”, thotë një tjetër banor.

Bashkia ka folur më parë për pamundësi financiare për të përballuar emergjencën që tashmë ka përfshirë 3 lagje të qytetit. Kërkesa për shpalljen e emergjencës civile ende nuk ka marrë përgjigje prej qeverisë qendrore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb