TIRANE

“Çështja e kufirit mes Kosovës e Serbisë, nuk është në qendër të marrëveshjes”- deklarata vjen nga zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në Tiranë.

Në pergjigjen për gazetaren e News24, Aurora Golemi Palmer tha se SHBA mbështesin Kosovën, ndërsa kërkoi nga Serbia ta njohë atë si shtet të pavarur e sovran. Gjithashtu zyrtari amerikan theksoi se inkurajon palët në finalizimin e marrëveshjes mes dy shteteve.

“E vërteta është që si SHBA dhe Gjermania e mbështesin Kosovën. SHBA nuk mbështet një rezultat të caktuar të procesit të negociatave; ajo që mbështesim është një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënies midis Serbisë dhe Kosovës. Besojmë që elementi qendror i kësaj duhet të jetë njohja e ndërsjellë, pra që Serbia njeh Kosovën si vend sovran dhe i pavarur dhe Kosova njeh Serbinë në të njëjtën mënyrë. Dhe mbi bazën e kësaj, të dy vendet e pavarura punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Çdo marrëveshje për normalizim të marrëdhënies është shumëdimensionale; do të ketë një element politik, një element sigurie, një element ekonomik dhe tregtar, do të ketë edhe një element kulturor që do të marrë parasysh statusin e pronave të Kishës Ortodokse në Kosovë. Çështja e kufijve mund po ashtu të jetë pjesë e kësaj, por nuk është elementi kryesor i marrëveshjes sado që ta imagjinojmë këtë. Ajo që është e rëndësishme për SHBA është që çfarëdo marrëveshjeje të ketë pronësi vendase, të jetë diçka që të dyja palët ndjejnë se mund ta mbështesin, të dyja palët ndjejnë se mund ta shesin, të dyja palët besojnë se mbron interesat e tyre thelbësore, dhe ajo që kemi bërë ne është që i kemi nxitur palët të ulen në tryezë dhe të negociojnë marrëveshjen më të mirë që munden. Për aq sa SHBA është gati ta mbështesë atë marrëveshje, ne duam të na e sjellin, të na e tregojnë, ta shohim se çfarë është. Nëse kemi shqetësime për të, do t’i artikulojmë ato shqetësime dhe do të shohim nëse mund të gjejmë mënyra për t’i kapërcyer, por nuk po mbështesim ndonjë rezultat të caktuar apo ndonjë pjesë të caktuar përbërëse të asaj që, me përkufizim, do të ishte një diskutim i gjithanshëm, një marrëveshje e gjithanshme. E mbështesim këtë proces, mbështesim EEAS dhe BE në drejtimin e këtij procesi; nuk jemi palë në negociata por jemi palë në kuptimin që kemi interes në rezultatin e tyre pozitiv. Duam një zgjidhje që hap një rrugë europiane, një të ardhme europiane si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dhe jemi të përkushtuar që në partneritet me autoritetet në Kosovë si dhe me qeverinë në Serbi ta çojmë përpara atë synim.” – u shpreh Palmer, në përgjigje të gazetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb