Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, Matthew Palmer, e ka quajtur “kthesë historike” vendimin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, diplomati amerikan the se vendimi i 19 tetorit, i hap rrugës Maqedonisë dhe popullit të saj drejt të ardhmes evropiane dhe euroatlantike.

“Maqedonia, liderët maqedonas, populli maqedonas mund të llogarisin në mbështetjen e SHBA-së në rrugën drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. Është nder dhe privilegj të jesh këtu në këtë moment historik për vendin. 80 votat për mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës janë kthesë historike që hapin rrugën procesin të integrimit në BE dhe NATO”, deklaroi Palmer.

Edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë se në takimin me diplomatin e lartë amerikan kanë biseduar kryesisht për procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, me ç’rast është vlerësuar lartë mbështetja që mori ajo nga deputetët me votimin e fazës së parë të ndryshimeve kushtetuese.

Zaev ka thënë se votimi “pro”, ka larguar Maqedoninë nga destabilizimi dhe izolimi që do të kishte, sipas tij, pasoja të rënda për vendin.

“Me zotin Palmer kemi konstatuar se vendimi i 80 deputetëve për të votuar për ndryshimet kushtetuese ka rëndësi historike. Vendimi i deputetëve të pozitës dhe opozitës për të votuar nismën e qeverisë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës edhe njëherë konfirmon përcaktimin tonë euroatlantik për të ardhmen e vendit”.

“Deputetët dhe forcat demokratike në vend me vendosmëri dhe guxim morën përgjegjësinë dhe shkruan historinë, duke larguar Maqedoninë nga rreziku që sërish të kthehet në të kaluarën e errët, penguam rrezikun e izolimit që kësaj here do të kishte pasoja katastrofale për vendin. Në vend të kësaj, të zgjedhurit e popullit me votën e tyre ‘për’, treguan gatishmërinë për realizimin e vizionit të tyre për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar angazhimin e tij për pajtimin kombëtar, që sipas tij ka nisur në Kuvend, por që duhet të vazhdojë edhe në sferat tjera të jetës.

Në pritje të amnistisë
“Për këtë kemi nevojë si asnjëherë më parë. Kam besim të madh se mundemi t’i tregojmë botës se qytetarët e Maqedonisë po hyjnë në një periudhë të bashkimit rreth interesave të tyre strategjike. Tani është momenti që t’i tregojmë edhe vetes se jemi shoqëri përgjegjëse, se kur duhet lihet pas periudha e ndarjeve. Pajtimi dhe uniteti kanë nisur nga Kuvendi, andaj duhet t’i japim shansin a pajtimit të gjithë atyre që janë përfshirë në ndarje”, ka theksuar kryeministri Zoran Zaev.

Gjatë vizitës në Shkup, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, Matthew Palmer është takuar edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov si dhe me drejtuesit e partive tjera politike.

Vizita e diplomatit amerikan është e dyta në Maqedoni. Ai në Shkup qëndroi edhe në muajin gusht kur kishte kërkuar nga liderët politikë mbështetje për Marrëveshjen me Greqinë, si mundësi të vetme për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar mes dy vendeve për emrin, që do t’i hapte rrugës edhe heqjes së vetos greke për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. /rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb