TIRANE

Për zyrtarin amerikan, Matthew Palmer i cili ndodhet në një viztitë zyrtare në Shqipëri, kjo qeveri është legjitime dhe SHBA po bashkëpunon me të. Në një bashkëbisedim me gazetarët, në ambjentet e ambasadës amerikane në Tiranë, Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit tha se nuk ka ardhur në Shqipëri me një platformë për zgjidhjen e krizës. Gazetarja e News24, Aurora Golemi e pranishme në këtë bashkëbisedim, citoi z.Palmer të thotë se në Shqipëri nuk ka ardhur për të negociuar mbi krizën politike.


“ Unë nuk jam këtu për të negociuar një zgjidhje, nuk jam këtu për të mbështetur një zgjidhje të caktuar. Unë do t’i nxisja të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjdhjet lokale, mendoj se pjesmarrja juaj në procesin demokratik është thelbësore, është diçka për të cilën partitë politike i detyrohen mbështetësve të tyre, i detyrohen votuesve të tyre, që të hyjnë në arenën politike, që të garojnë fort, të fitojnë zgjedhjet dhe të përdorin fitoren si një mjet për të përmbushur premtimet dhe vizionin e tyre për të ardhmen. Prandaj, mendoj se mjete si bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Prandaj do të nxisja partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik, dhe mendoj se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi. Reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri jo si një mjet për të tejkaluar “krizën” aktuale apo ngërçin aktual por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare. OSBE-ja ka përcaktuar një sërë synimesh dhe objektivash për atë proces reformash, do të jetë e rëndësishme për aspiratat europiane të Shqipërisë që reformat zgjedhore të përfundohen. Prandaj, sigurisht që ka vend për diskutime, por duke parë drejt qershorit, unë absolutisht do t’i nxisja të gjitha partitë e opozitës që të hyjnë në arenën politike, të garojnë dhe të fitojnë zgjedhjet.’  tha Palmer ndërsa shtoi se Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave.


“Qëndrimi ynë zyrtar është se Shqipëria ka një qeveri të zgjedhur sipas rregullave, është një partnere e Shteteve të Bashkuara, me të cilën punojmë mirë dhe ngushtë. Përsa i përket pikpamjes sonë mbi zhvillimet politike, i përket klasës politike që të negociojë brenda vetes. Mendoj se do të ishte fatkeqësi për opozitën nëse nuk do të kërkonte mënyra për t’u rifutur në procesin demokratik, përfshirë edhe, më të afërtin, qershorin. Se si zgjidhet ky process, se si zgjidhen mosmarrëveshjet, kjo është në dorën e partive politike dhe udhëheqësve të partive politike për t’u zgjidhur. Në rrugën e saj përpara, Shqipëria ka mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Institucionet e qeverisë janë funksionale, janë legjitime, Shqipëria nuk ka problem në marrjen e vendimeve, në miratimin e ligjeve, dhe unë kam besim se kjo qeveri do ta çojë vendin drejt një të ardhmeje europiane, do të jetë në gjendje të vazhdojë të veprojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi, në kryerjen e vetingut që është i rëndësishëm për t’u dhënë shqiptarëve besimin në administrimin e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse, përfaqësuesit e votuar, dhe zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë për të përmbushur këto qëllime dhe objektiva.” -tha Palmer ndër të tjera.


Ndër të tjera, Palmer iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve mbi emërimin e Kavalec si ambasadore në Shqipëri.

“ Së pari, më lejoni të vërej që Senati nuk se nuk e miratoi Kathy Kavalec si e emëruara për ambasadore në Shqipëri, nuk ndërmori ndonjë veprim për emërimin. Pra, Znj. Kavalec nuk është riemëruar, por për emërimin e saj nuk u ndërmor veprim në ndonjë mënyrë, nuk mori mosmiratim, nuk pati vendim negativ. Për sa i përket rolit të lobistëve, është pjesë normale e procesit demokratik, politik. Lobistët bëjnë shumë gjëra në sistemin në Uashington gjithë kohën, dhe përgjithësisht japin kontribut pozitiv në procesin politik dhe në debat. Për sa i përket specifikave të asaj që thoni, për akuzat specifike, ka hetime në vazhdim dhe do të ishte e pavend për mua të komentoja për gjëra specifike. Por fakti është që lobimi në vetvete nuk është i dyshimtë, dashakeq apo negative, sepse lobimi kryhet gjithë kohën mbi një gamë të gjerë çështjesh?” u shpreh Palmer, ndërsa tha se së shpejti shpreson të ketë një emër për ambasadorin e ri të SHBA në Tiranë.

(BalkanWeb)

Etiketa: