TIRANË-­ Seanca e sotme gjyqësore mes kreut të qeverisë, Edi Rama dhe të paditurit prej tij për shpifje Edi Paloka që akuzoi shefin e qeverisë për lidhje me bandat e krimit, ka vijuar me paraqitjen e provave. Mbrojtja e Ramës, sikundër edhe në seancat e shkuara deklaroi se nuk ka asnjë provë konkrete për akuzat e bëra në adresë të kryeministrit.
Ndërkohë që Paloka ka paraqitur një liste të gjatë me 12 prova, që sipas tij faktojnë akuzat e bëra ndaj Ramës, për lidhje me bandat dhe krimin. Seancën e sotme, vjen pas dështimit të pajtimit mes tyre në seancën e shkuar. Ndërkohë që Gjykata pasi ka marrë provat ka vendosur se do të shprehet lidhur me to në datën 10 prill.

PROVAT E PALOKES: ­

-CD me thëniet e Ramës kur ishte lider i opozitës, kur pretendonte persona të inkriminuar në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të lartë të Policisë të lidhur me kupolën e krimit.

-Fotoja e një prej personave të pranishëm në përplasjen me armë te Rruga e Kavajës, që del nga selia e PS. Thëniet e Erzen Breçanit në lidhje me arrestimin disa herë të Shullazit dhe një nga rastet, ai i vitit 2011, ku ka shkaktuar një incident gjatë një aktiviteti të PS. (“Breçani ka pohuar se e ka parë Shullazin në atë kohë të hipë në makinën e ministrit aktual të Brendshëm. Ky fakt nuk është përgënjeshtruar nga askush”, thanë avokatët).

-Deklarata e Ambasadës Amerikane, 2 mars 2015, ku përshëndet përjashtimin e Tom Doshit nga Grupi i PS.

-Një botim i gazetës “55” në vitin 2012 në lidhje me disa përgjime të kryera nga drejtësia italiane ku dy anëtarë për llogari të “bandës së Lushnjës”, përmendin se Rama është i lidhur me krimin.

-Deklaratat e ish­deputetit Dritan Prifti, që etiketon Ramën si person që konsumon lëndë narkotike. Ne e marrim të mirëqenë këtë fakt, pasi nuk është përgënjeshtruar dhe as akuzuar Prifti.

-Deklaratat e PD për denoncimin e dënimeve të dhëna në Itali ndaj deputetit Arben Ndoka.

-Vendimi i Gjykatës Administrative të Shullazit kundër Ministrisë së Financave për shpërblim burgimit të padrejtë, i cili nuk është ankimuar nga Ministria.

-Denoncimi i Tom Doshit për një tentativë vrasjeje ndaj tij. Edhe pse ka qenë në dijeni, Rama nuk ka kallëzuar.

-Deklarata e Tahirit, 4 mars 2015, për hetimin, sipas tij, të farsës, ku pranon të jetë takuar me persona të inkriminuar, të cilët nuk i ka kallëzuar, apo referuar.

-Dokumenti policor sekret i publikuar në media, që një deputet i rëndësishëm i maxhorancës ka fshehur në automjetin e tij nga kontrolli policor një person të dyshuar si trafikant të lëndëve narkotike.

-Rezoluta e nënshkruar në dhjetor 2014 në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: