TIRANE- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka akuzuar Ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, si të lidhur me krimin e bandat kriminale dhe mbrojtës i krerëve të bandave. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Eduard Paloka u shpreh se Tahiri i bën presion medias e përfaqësuesve të Prokurorisë. Por, pas tij, ka reaguar menjëherë ministri i Bredshem, Saimir Tahiri, duke i bërë të ditur Palokës se shpifjet tashmë duhet t’i provojë para gjyqit. Ministri i Brendshëm ka vendosur sot që të bëjë padinë ndaj kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

PALOKA
Gjatë një deklarate për shtyp nga selia e PD-së, Paloka deklaroi: “Ministri i Brendshëm shantazhoi mbrëmë përfaqësuesit e medias dhe të prokurorisë, në një tur telefonatash në dy prej studiove televizive më në zë të vendit, ku debatohej dhe ngrihej shqetësimi për mungesën e rendit dhe të sigurisë në vend. Me tone të larta, skandaloze, të papranueshme Tahiri përsëriti disa herë kërkesën që analistët të rishikonin qëndrimet e tyre e të mos kritikonin, si dhe i dha urdhra politikë përfaqësuesit të prokurorisë, drejtpërdrejt në sytë e mbarë opinionit. Në këtë sjellje të dyshimtë, si e ndikuar nga efektet e substancave të paligjshme, Ministri i Brendshëm, kaloi disa herë vijën e kuqe, duke treguar mentalitetin e tyre qeverisës, që kujtojnë se kanë të drejtë të urdhërojnë median, prokurorinë, e këdo që nuk mendon njësoj si ata”, thotë Paloka.

Deputeti i PD e akuzoi sërish ministrin e Brendshëm për lidhje me Emiliano Shullazin.

“Kanë dalë fare hapur në publik, dhe gjithkush e di sot, se Saimir Tahiri është i lidhur me krimin e organizuar, se është mik i Emiliano Shullazit. Sic dihet se sot është e premte, ashtu e dinë qytetarët edhe për këtë kumbari mes tyre , ky është dhe burimi i nervozizmit të Ministrit të Brendshëm. Ai vetë e pranoi mbrëmë në fakt, në atë ndërhyrjen e tij halucinante. E pranoi se Emiliano Shullazi ka kërcënuar kreun e opozitës, por nuk është marrë asnjë masë ndaj tij, përkundrazi, sipas gjykimit personal të Ministrit, kreu i opozitës e meriton një trajtim të tillë”, tha ai më tej.

Sipas Palokës, pikëpyetjet që po ngrihen për lidhjet e tij me fabrikën e kokainës e bëjnë gjithashtu nervoz ministrin.

“Pikëpyetjet që po ngrihen për faktin se krerët e vërtetë të rrjetit i shpëtuan aksionit të policisë, e bëjnë sërish nervoz Ministrin. Na lini të punojmë thotë ministri, se e di ai vetë, kë arreston, kë lë të lirë, kë ndihmon të kërcënojë kreun e opozitës, kujt i hap rrugët e trafikut. Jo zoti Ministër. Jo zoti Kryeministër. Nuk ka për të ardhur asnjë ditë kjo kohë që ju po kërkoni. Për fat qytetarët sot kanë informacion, ka përfaqësues të medias që janë të lirë dhe zëri i tyre dëgjohet. Dhe është opozita, Partia Demokratike që do ta bëjë cdo ditë betejen me krimin, dhe me lidhjet e krimit me pushtetin, me qeverinë, me ministrin e Kryeministrin. Cdo ditë, pa u ndalur. Derisa e keqja të shkulet me rrënjë”.

REAGIMI I PLOTE I MINISTRIT TE BRENDSHEM
“Sot Ministri Saimir Tahiri i kërkoi zyrës juridike formulimin e padisë penale dhe civile për kryetarin e grupit parlamentar të PD Edi Paloka, lidhur me derdhjen në publik të një sasie shpifjesh të pazakonshme edhe për një shpifës profesionist si Edi Paloka.

Edi Palokën e njeh mirë çdo qytetar, që ndjek jetën politike shqiptare dhe s’ka dyshim se jo vetëm mes qytetarëve pa dallime partiake, po edhe mes vetë kolegëve të tij partiake, ka konsensus të plotë për faktin se ky individ jeton me profesionin e shpifësit.

Por ka ardhur koha që Edi Paloka të provojë të kundërtën, duke i rrëfyer përpara një trupi gjykues faktet që ai disponon për dalldisjet e tij publike. Ashtu sikundër ka ardhur koha, që shpifje të cilat njollosin personalitetin, dinjitetin dhe punën e të tjerëve për shkak të detyrës të ndëshkohen sipas ligjit.

Ministri Tahiri është i gatshëm që në rastin e paraqitjes së një prove të vetme nga Edi Paloka, lidhur me akuzat e ngritura sot, të përballet me të vërtetën në të gjitha mënyrat, për përgjegjësinë që mban në detyrë por edhe para ligjit e drejtësisë po ashtu.

Në të kundërt drejtësia duhet ta ndihmojë Edi Palokën të mësojë se koha e pandëshkueshmërisë për zanatin e tij të ulët ka mbaruar.”

(ar.sh/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: