Edi Paloka, deputet i PD-së, nga studio e rubrikës “Opinion” në News24 e cilësoi vendimin e Apelit, që i kaloi vulën dhe logon grupimit të Rithemelimit, si një shpresë për shqiptarët.

“Ne ishim pa komisionerë, pa financa, pa flamurin dhe simbolet, dhe sërisht në zgjedhjet e fundit morëm mbi 500 mijë vota. Tashmë marrja e këtyre të drejtave na favorizon, por të themi të drejtën jemi kthyer në vitin 2021, kur kishim edhe logon, edhe flamurin, edhe financat, edhe komisionerët. Por ky vendim i Apelit ka dhënë një tjetër entuziazëm, madje edhe ata që kishin një lidhje me logon dhe flamurin, tashmë do të bashkohen. Por jo të gjithë deputetët kanë qenë me PD, keni rastin e Enkelejd Alibeajt apo Lulzim Bashës, që i kanë shërbyer Edi Ramës, kanë bërë lojën e Edi Ramës”, tha Paloka.

Në vijim ai tha se ka bërë çdo përpjekje për bashkimin e demokratëve. “Shpresoj që situata të vijë vetëm duke u përmirësuar. Në zgjedhjet e 2025 shkojmë vetëm për të fituar se nuk ka rrugë tjetër”, tha Paloka.

Ai shtoi se ligjërisht çështja e mandatit të Sali Berishës nuk mund të diskutohej ligjërisht. “E kanë diskutuar politikisht, sepse ligjërisht nuk kishte asnjë arsye për t’ia hequr mandatin. E diskutuan politikisht dhe kanë menduar që mos ta bëjnë më shumë hero se sa e kthyen kur e vendosën në masë arresti”, tha Paloka.

Ai tha se për fat të keq në këtë vend nuk ka normalitet që njerëzit të votojnë bazuar te programet. “Edi Rama nuk ka pasur asnjë program, PD ka paraqitur gjithmonë programe dhe ka ardhur dita që Rama ka blerë votat. Sa më të varfër bëhen njerëzit aq më kollaj ia blenë votat”, tha Paloka.

Lidhur me protestën e 11 korrikut, Paloka tha se janë 1 mijë arsye që shqiptarët kanë për të dalë edhe për të protestuar.

“Në këtë protestë nuk diskutohet që do të kërkohet edhe lirimi i Sali Berishës apo arrestimi i Erjon Veliajt. Protestat qoftë te Bashkia, ashtu edhe te Rruga e Shpresës, do të vazhdojnë deri në finalizimin e çështjeve për të cilat protestohet”, tha Paloka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb