TIRANË- Deputeti demokrat, nënkryetari i PD Edi Paloka thotë se kryeministri Edi Rama kërkon të shpëtojë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Taulant Ballën dhe gjithë ata që janë të përlyer në krim duke shfaqur nacionalizëm pas ngjarjeve në Bularat ku u vra një minoritar grek që qëlloi me automatik për të vrarë efektivët e policisë shqiptare.

Sipas Palokës përfundimi i “nacionalizmit” të Ramës është falja Greqisë mijëra kilometra katrorë det përfshi dhe zonat naftëmbajtëse.

STATUSI I PALOKËS
Rama është ilustrimi më i mirë i shprehjes : “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”.
Ka kaq kohë që për të tërhequr vëmendjen nga skandalet që po e mbysin, është gati të bëjë gjithçka. Së fundmi, e jo për herë të parë, ka marrë pozicionin e nacionalistit.
Mendon vërtetë se me Bularatin dhe duke i fryrë zjarrit të përplasjeve nacionaliste do shpëtojë Tahirin, Gjushin, Ballën dhe gjithë tufën e zhgërryer në krim që ka rrotull vetes.
Këtë strategji e ka ndjekur dhe më herët kur me retorikë shterpe pa asnjë vlerë për shqiptarët u shit si nacionalist që “po ju tregonte vendin grekëve” , pastaj e mbylli për tre net rresht në hotel Bushatin me Kotziasin. Përfundimi i “nacionalizmit” të Ramës; ju falën Greqisë mijëra kilometra katrorë det përfshi dhe zonat naftëmbajtëse. Ky është “nacionalizmi” i vërtetë i Ramës, kryeministrit që po boshatis Shqipërinë nga shqiptarët.

Paloka F
Paloka F

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb