Të paktën 35 të vdekur dhe 32 të mbijetuar është bilanci i një aksidenti ajror tragjik në Kazakistan. Avioni “Embraer 190” me numër fluturimi J2-8243 po udhëtonte nga Baku i Azerbajxhanit për në Grozny të Çeçenisë, Rusinë jugore dhe u rrëzua mëngjesin e të mërkurës në Aktau të Kazakistanit. Mes viktimave janë edhe 5 anëtarë të ekuipazhit në bord, njoftuan autoritetet kazake.

Videot e publikuara në rrjet tregojnë momentin e rrëzimit të avionit, i cili siç besohet paraprakisht ishte përplasur me një tufë zogjsh. “Embraer 190” kishte tentuar të bënte ulje emergjente në aeroportin e Aktau por u rrëzua rreth 3 km larg tij. Në pamje avioni duket teksa bën disa herë ulje ngritje në lartësi dhe më pas bie në tokë duke shpërthyer dhe ndahet në dy pjesë, pranë një zone bregdetare.

Gjithashtu, pamjet shfaqin edhe çastet dramatike kur pasagjerët e mbijetuar nxirren nga avioni i rrëzuar.

32 pasagjerët që shpëtuan ndodheshin në pjesë të trupit të avionit që kishte mbetur i padëmtuar nga rrëzimi. 2 nga të mbijetuarit janë fëmijë të cilët po trajtohen në spital.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb