Rrebeshet e shiut dhe stuhitë gjatë mbrëmjes së kaluar kanë përmbytur shumë zona të Tiranës. Probleme të mëdha nga shirat janë shfaqur edhe tek Ura e Shkozës, ku Lana dhe ujërat e zeza kanë përmbytur disa shtëpi.

Gazetari Erjon Skëndaj sjell në “BalkanWeb” pamjet e tmerrit të ujit që ka vërshuar nëpër banesa dhe baltës që ka “pushtuar” rrugët, ndërsa një banor tregon momentet e vështira të përballjes me ujin. Ai thotë se e ka ndjerë ujin të futet në banesë në orën 04:00 të mëngjesit dhe ka dalë me vrap jashtë, së bashku me një fëmijë 4 vjeç në krah.

Banori tregon se kjo është hera e dytë që i përmbytet shtëpia, pasi një gjë e tillë ka ndodhur edhe në qershor të vitit 2018.

Ai shprehet se i është drejtuar të gjithë numrave të emergjencës, përfshirë edhe numrin e sallës operative, por askush nuk i është përgjigjur. Nga ana tjetër, banorët e kësaj zone fajësojnë firmën ndërtuese të Unazës, për punimet e dobëta dhe mbylljen e kolektorit të shkarkimit kryesor.

“Janë gjithë ujëra të zeza, kanë plasur pusetat. Ju kam kërkuar ndihmë të gjithëve, por asnjë nuk m’u përgjigj. Ngjarja ndodhi në 04:00 të mëngjesit, u ngrita dhe pashë që kishte plasur uji. Ngrita fëmijët nga gjumi, mora çupën 4 vjeçe dhe kemi dalë e kemi ndenjur në makinë. Përveç një patrullë policie, asnjë tjetër nuk është më është përgjigjur”, tregon banori.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb