Ky është momenti kur dy të rinjtë të cilët tashmë janë arrestuar, i kanë vendosur qëllimisht zjarrin automjetit të efektivit të policisë në Lezhë.

Ngjarja u raportua mëngjesin e së hënës, teksa disa orë më pas policia arritit të identifikojë dhe vendosë në pranga 2 autorët, Klaudio Gjokhilaj dhe Klaudio Kovaci.

Teksa autorët ranë në pranga, hetimet zbuluan se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës.

Policia bën sqarimin e rrethanave të ngjarjes:

Lezhë/ Zbardhet shkaku i djegies së automjetit të punonjësit të Policisë.

Në vijim të hetimeve, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, bazuar në provat e siguruara, dokumentoi me prova ligjore djegien e qëllimshme të automjetit.

Policia e Lezhës identifikoi, kapi dhe arrestoi dy autorët e dyshuar të ngjarjes. Nga hetimet dyshohet se djegia e automjetit është bërë për shkak të detyrës.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë nën drejtimin e  Prokurorisë, vijuan hetimet e thelluara për zbardhjen e shkakut të përfshirjes nga zjarri të automjetit të shtetasit R. Z., oficer i Patrullës së Përgjithshme, trup shërbimi, në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Si rezultat i hetimeve dhe provave të siguruara gjatë hetimit në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar dhe në inteligjencën policore u bë i mundur identifikimi  dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– K. Gj., 24 vjeç dhe K.K., 22 vjeç, të dy banues në Lezhë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mëngjesin e sotëm, dyshohet se për shkak të detyrës, i kanë djegur automjetin shtetasit  R. Z., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb