Veriu i vendit dhe konkretisht Shkodra u përfshinë javën e kaluar nga përmbytjet që erdhën si rezultat i reshjeve të shiut, shkarkimeve nga kaskada e Drinit por edhe shkrirja e borës. Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit publikoi sot pamjen satelitore të përmbytjes në këtë zonë duke dhënë edhe detaje mbi mënyrën sesi sigurohen pamjet satelitore.
“Kjo është e mundur vetëm pasi institucionet e një vendi, në rastin tonë, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile (DPEC) aktivizojnë Procedurën Urgjente të vëzhgimeve satelitore për zonat e përmbytura. Kjo do të thotë që sateliti pozicionohet mbi zonën e përmbytur për aq kohë sa të mbarojë fotografimi i plotë. Harta e bashkuar e përmbytjeve është rikrijuar nga IGJEUM” thuhet në sqarimin që shoqëron pamjet.
Më herët IGJEUM bëri edhe një përmbledhje të rrezikut nga përmbytjet duke vënë theksin tek parashikimi për ditën e sotme dhe nesër (e enjte 15 mars)
“RREZIKU NGA PËRMBYTJET:Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e mërkurë, dt.14) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë nivele të larta të ujit me qëndrueshmëri të hartës së përmbytjes. Nesër (e Enjte, dt.15) nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të ngelen të larta për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna, por me TENDENCË ULJE. Për arsye të vazhdimit të rrezikut nga përmbytja është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Ngjyra e kuqe e qarkut është vendosur për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë rënie të prurjeve.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve” njoftoi IGJEUM.