Në rubrikën Opinion në News 24, ishin të ftuara Elda Vela, botuese e “Mediaprint” dhe Rudina Çupi, shkrimtare për fëmijë dhe botuese. Elda Vela shprehet se në panairin e këtij libri ka pasur pjesëmarrje të lartë.
Ndërsa, Rudina Çupi, shkrimtare për fëmijë dhe botuese deklaroi se prindërit dhe mësuesit janë të interesuar që të kenë botime sa më të zgjedhura për vogëlushët e tyre. Çupi u shpreh se interes ka edhe nga lexues shqiptarë, që jetojnë në diasporë.
Elda Vela, botuese e “Mediaprint”: Në panair kishte shumë pjesëmarrës. Përveç lexuesve besnikë, nuk ka lexues të rinj dhe kjo më shqetëson disi. Duhen falënderuar autorët dhe kontakti me autorin është tepër i rëndësishëm. Më pëlqen që fëmijët e shikojnë autorin, përkthyesin me admirim dhe kjo është diçka e bukur. Letërsi shqiptare për fëmijë ka pasur, ka dhe do të ketë. Shumë prindër e gjyshër kërkojnë Mujin e Halilin, tregimet e vjetra shqiptare, që kanë rrënjë të forta në histori. Më vjen keq që adoleshentët nuk lexojnë shumë. Por, ka raste kur këta adoleshentë, që kishin hequr dorë nga leximi, i kthehen librit në moshën 20 vjeç.
Rudina Çupi, shkrimtare për fëmijë dhe botuese: Mua më duhet të drejtoj prindërit tek botimet që janë për moshën. Prsh, në moshat e hershme niset me tekste më të lehta e legjendat janë më tepër për fëmijët e moshave 9 vjeç e lart. Ka pasur prindër e fëmijë që kanë ardhur sërish, sepse ata kanë fituar besimin, pasi ne ju jemi gjendur pranë. Ne nuk jemi shitës. Ideja është që të mos konsumojmë libra, por të shijojmë libra. Nuk kam përtuar asnjëherë që fëmijët të zgjedhin ata libra, që janë te nevojshme për ta. Njerëzit janë afruar me leximin. Në panair kishte edhe shqiptarë nga diaspora. Na ka ardhur edhe letërsi komerciale dhe pikërisht letërsia komerciale nuk i shpëton dot teprimeve që mund të bëhen në lidhje me përmbajtjen ose kanë një lloj fryme të vendeve më të zhvilluara. Vazhdojnë të botohen autorët e dikurshëm të librave për fëmijë si prsh Bedri Dedja, Adelina Mamaqi ose Xhahid Bushati etj. Janë sjellë edhe zëra të rinj, duke qenë më modernë, duke i sjellë autorit edhe ilustruesin, e bëjnë më të këndshëm për fëmijët që shikojnë gjëra tepër të bukura nga ana pamore.
(d.xh-Balkanweb)