LONDËR– Afera “Panama Papers” vazhdon edhe sot të përndjekë kryeministrin britanik, David Cameron, i cili pritet të kundërsulmojë në parlament duke paraqitur masa kundër evazionit fiskal, por nuk mund evitojë pyetjen e deputetëve mbi financat e tij.

Gjatë fundjavës, Cameron, nën kritika që kur u detyrua të pranojë se ka trashëguar pjesë nga një kompani “offshore” të babait të tij, Ian, që ka vdekur në vitin 2010, është përpjekur të marrë situatën në dorë duke luajtuar mbi transparencën e taksave të tij.

Ai ka publikuar të ardhurat e tij në gjashtë vitet e fundit, pra që kur është në krye të qeverisë britanike.

“Por, kjo transparencë e pazakontë në Britani të Madhe ngre pyetje të reja”, gjykon lideri i opozitës “Laburiste”, Jeremy Corbyn.

Në qendër të kritikave duket se është edhe një donacion i përjashtuar nga taksat prej 200 000 sterlinash, i marrë nga David Cameron nga mamaja e tij në vitin 2011, ndonëse është ligjor.

Aferat private të Cameron rrezikojnë të dominojnë seancën plenare të Parlamentit pas pushimeve, ndërkohë që kryeministri pritet të paraqesë masa për të bërë ligjërisht të dënueshëme kompanitë që favorizojnë evazionin fiskal.

Këto masa shënjestrojnë njëkohësisht shoqëritë që kanë mekanizma mbikëqyrjeje të dobëta dhe ato që favorizojnë lirshëm evazionin fiskal.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: