NGA Zëri i Amerikës


Zyrtarja e dytë më e lartë e Bankës Botërore thotë se dalja e Dokumenteve të Panamasë, dëmton besimin e publikut dhe i bën qytetarët e zakonshëm më pak të prirur të paguajnë taksat e nevojshme për të financuar rrugët, shkollat dhe aktivitete të tjera qeveritare. Në një intervistë me korrespondentin e “Zërit të Amerikës”, Jim Randle, Sri Mulyani Indrawati u bëri thirrje vendimmarrësve kudo në botë të hartojnë ligje të reja dhe të bashkëpunojnë më ngushtë. Dokumentet e dala nga një firmë ligjore me qendër në Panama dëshmonin përpjekjet e të pasurve në gjithë botën për të fshehur paratë dhe për të shmangur taksat.


Megjithëse një pjesë e mirë e këtij aktiviteti nuk ishte e paligjshme, disa hartues politikash në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera, thonë se ndoshta duhet të jetë. Dhe shumë po bëjnë thirrje për ligje të reja, më të rrepta, që e bëjnë më të vështirë që të fshihet pasuria. Ata argumentojnë se kur njerëzit e elitave mund të shmangin taksat, njerëzit e zakonshëm besojnë se po trajtohen padrejtësisht. Drejtorja menaxhuese e Bankës Botërore thotë se perceptimi gërryen besimin, që mund të dëmtojë rritjen ekonomike në vende që kanë nevojë për të.


“Kur vendet shohin se disa nga udhëheqësit, elitat ose në këtë rast të pasurit, kanë llogari në vende të tjera, atëherë fillojnë të shtrojnë pyetjen ‘pse’. Dhe pyesin ‘a është në të vërtetë një arsye legjitime? Apo po fshihet diçka?’” Ekspertët në organizatën studimore “Integriteti Financiar Global” thonë se dëmi në buxhetet qeveritare është i jashtëzakonshëm. “Të dhënat tona tregojnë se mbi një trilion dollarë para të paligjshme del jashtë ekonomive të vendeve në zhvillim çdo vit. Kjo është një shifër shumë më e lartë sesa gjithë ndihma e huaj dhe të gjitha investimet e huaja që hyn në këto vende çdo vit”, thotë Tom Cardamone i Integritetit Financiar Global.

Një gazetar investigativ me grupin ndërkombëtar që botoi artikuj mbështetur në Dokumentet e Panamasë thotë se ato tregojnë që qindra mijëra kompani janë krijuar në mënyra të tilla që fshehin pronësinë e vërtetë dhe e bëjnë të vështirë për zyrtarët që të ndjekin gjurmët e pasurisë dhe evazionit fiskal. “Shumë ekspertë na kanë thënë se duhet të ndryshojnë ligjet e vendeve”, thotë Will Fitzgibbon i Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë.

Drejtorja menaxhuese e Bankës Botërore që më parë ishte ministre e Financave e Indonezisë thotë se vendet duhet të punojnë së bashku. “Pa një bashkëpunim ndërkombëtar, do të jetë shumë e vështirë që të identifikohen rastet e shmangies së taksave”. Zyrtarët e Bankës po paraqesin argumente për ligje më të rrepta dhe bashkëpunim më të madh, ndërsa zyrtarë të lartë të financave dhe të ekonomisë nga e gjithë bota mblidhen në takime të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington këto ditë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Etiketa: