* Panariti: Masat për dermantozën nodulare të duhurat, ndryshe do hidhnim në erë 300 mln euro
* Virusi nuk prek njeriun dhe nuk transmetohet përmes mishit

TIRANE- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti komentoi situatën e krijuar në vend pas rasteve të gjedhit me dermantozë nodulare gjatë konferencës për ritmin e zgjerimit të bujqësisë.

“Politika jonë e parandalimit dhe luftimit të kësaj sëmundje nuk është thjesht ide, por në sinkron me problematikën europiane. Masat që janë marrë, mbyllje e detyruar tregjesh dhe thertoresh, jo thjesht vullnet i MB, por politike europiane e diktuar”,- tha ai.

Ministri e qujti qesharake, idenë se kjo mund të bëhet për të favorizuar mishin e importit, ndërsa sqaroi se: “Ne do ta kthenim Shqipërinë në vatër të madhe infeksioni nëse nuk merrnim këto masa. Po të lejonim, dëmet do ishin të pariparueshme për ekonominë. Hidhnim në erë 300 milionë euro. Qëndrimi ynë ishte i saktë. Lërini profesionistët të bëjnë punën e tyre”.

Ministri Panariti deklaroi se të gjitha kafshët e prekura nga dermatoza do të asgjësohen dhe siguroi se do bëhet kompensimi i blegtorëve ose financiarisht ose me gjedhë të tjera. “Do asgjësojmë kafshët e prekura, do shohim mënyrën e kompensimit jo vetëm me shumë financiare por edhe me kafshë, madje kjo është më e mira. Të gjitha kafshët e prekura, janë në karantinë dhe do të asgjësohen. Do përpilohet një procesverbal bashkë me blegtorin do bëhet vlerësimi për kompensimin”, tha Panariti.

Gjithashtu ministri qetësoi publikun, duke sqaruar se ky virus nuk e prek njeriun dhe nuk transmetohet përmes mishit, por është gjurmuar mishi, si mënyrë për të arritur tek kafshët e prekura.

“Ky infeksion nuk transmetohet nëpërmjet mishit dhe nuk prek njeriun. Nëse kemi penguar lëvizjen e kafshëve e kemi bërë për të penguar transmetimit tek kafshët e tjera. Ne gjurmojmë mishin sepse und të jetë tregues i lëvizjes së kafshës me virus. Nuk ka rrezik për konsumatorin, është virus që nuk e prek njeriun dhe nuk transmetohet nëpërmjet mishit”, tha Panariti.

Ministri i Bujqësisë vlerësoi si faktor të rritjes së eksporteve lidhjen e bujqësisë me tregun. “Eksportet falë krijimit të zinxhirit të vlerave, lidhjes së bujqësisë me tregun. Po zhvillohet bujqësi me porosi”, tha Panariti.

Ministri u ndal më tej tek të dhënat e bujqësisë për 6-mujorin e parë të vitit 2016, ku tha se në fushën e eksporteve ka pasur rritje 2 shifrore me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ministri foli për 3 fishim të eksportit të vezëve, 60% eksporti i mjaltit, 52% peshku. Panariti shtoi ndër të tjera se është zgjeruar harta e eksportuesve edhe në 7 vende të tjera si: Republika Ceke, Lituania, Lindja e Mesme.

Të dhënat u referohen eksporteve bujqësore, mbështetur në treguesit e vëllimit të mallrave bujqësore që kalojnë doganat dhe të shprehura në njësi prodhimi të matur. Në raport janë përfshirë edhe treguesit të prodhimit bujqësor në tërësi të matur në terren.

“Ajo që bie në sy nga shqyrtimi i këtyre treguesve është zhvillimi në tërësi i Bujqësisë, në të tre shtyllat e saj: bimët e arave, blegtori dhe peshkim. Në fushën e eksporteve bujqësore kemi një rritje dyshifrore të tyre në krahasim me një vit më parë. Kështu kemi dyfishim të eksporteve të frutave, në krahasim me një vit më parë nga 2071 ton në qershor të 2015-s në 5.058 ton në qershor 2016. Vihet re një rritje e eksporteve të perimeve me 28%, të patates me 2,4 herë më shumë se një vit më parë, të qepëve me 80% më shumë se një vit më parë, po kështu rritje dyshifrore të eksporteve kemi edhe në sektorin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Në sektorin e blegtorisë kemi thuajse trefishim të eksportit të vezëve në krahasim me një vit më parë si dhe rritje në masën 52% të eksportit të peshkut të freskët dhe përpunuar si dhe një rritje me 60% të eksporteve të mjaltit”, tha Ministri i Bujqësisë.

Sipas tij, kemi një ulje në masën 7,8% të importeve të prodhimeve bujqësore në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm të bilancit eksport/import në favor të këtij të parit.

“Shqipëria zgjeroi më shumë hartën e vendeve në të cilat ajo eksporton edhe me 7 vende të reja, ku spikatin sidomos hapja e tregut të eksporteve në Republikën Çeke dhe Lituaninë. U rriten edhe më shumë eksportet drejt Bashkimit Europian ku shesim me çmime më të favorshme se në vendet e rajonit”, tha më tej Panariti.

Ai theksoi se prodhimi bujqësor në tërësi është rritur me 5% në krahasim me një vit me parë gjë që është i lidhur edhe me një hop mbresëlënës në zhvillimin e infrastrukturës bujqësore.

“Kështu sipërfaqja e serave ka arritur në rreth 2417 hektarë nga 1000 ha që ishte në vitin 2013, kemi një zgjerim të numrit dhe të kapaciteteve të pikave të grumbullimit dhe të magazinave frigoriferike si dhe linjave të përpunimit, ambalazhimit dhe të kalibrimit. E shprehur në vlerë monetare, dhe e përllogaritur në bazë të çmimeve të referencës kjo masë e shtuar prodhimi dhe eksporti i ka dhënë ekonomisë kombëtare, por edhe asaj individuale rreth 50 milionë dollarë të ardhura më shumë se një vit më parë”, u shpreh Panariti.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb