Ish-ministri i Jashtëm Edmond Panariti i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “News 24” tha se Ramush Haradinaj veproi si një burrë shteti,

Panariti theksoi se Haradinaj ruajti dinjitetin e shtetit të Kosovës me veprimin e tij. Ai shtoi se Haradinaj është një figurë që duhet nga shqiptarët, për shkak të devotshmërisë dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të bërë mirë për vendin dhe kombin.

Haradinaj veproi si burrë shteti. Ai vuri dinjitetin e shtetit mbi veten. Sa di unë, Gjykata e për Krimet e Luftës merret me personat që kanë kryer krime lufte ose dyshohen për krime pas luftës. Kosova ruajti dinjitetin, ruajti staturën e dinjitetit. Në lidhje me taksën, Haradinaj mendoj se ka vepruar drejt. Po ashtu, krjimi i Ushtrisë së Kosovës ishte tjetër hap me rëndësi. Haradinaj ruajti sovranitetin territorial të Kosovës. Kur kam qenë ministër i Jashtëm kam thënë qqë Shqipëria ruan sovranitetin e Kosovës.  Procesi i dialogut është mjaft i rëndësishëm. Mendoj dhe besoj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë njohja e Kosovës si shtet i pavarur”, tha Panariti.

Edmond Panariti theksoi se Gjykata e Hagës dhe ajo Speciale në Kosovë kanë objekte të ndryshme trajtimi, pasi Specialja trajton krime të pas-luftës.

“Në lidhje me Haradinajn, deri tani kemi vetëm një ftesë. Kemi dy gjykata që kanë objekte të ndryshme. Haga është një gjykatë për krime gjatë luftës, ndërsa këtu kemi probleme dhe ngjarje të ndodhura pas luftës. Mendoj se nuk kemi dosje të hershme, por dosje të reja. Mesa duket do të kemi në vijimësi thirrje nga gjykatat edhe për personalitete të tjera. Kjo është situata.  S’dua të merrem me konspiracion se duan ta eliminojmë etj. Koalicioni u prish në Kosovë, por partia e Haradinaj ka influencë në shtetin e Kosovës. Di se kjo histori ka nisur me bllokimin që Serbia i ka bërë Kosovës në Interpol”, deklaroi ai.

I pyetur se përse ndodh që Haradinajt i shkojnë ftesa nga gjykatat kur  është kryeministër, Panariti vlerësoi se nuk e di këtë, por di se ai po përballet dinjitetshëm me situatën.

“Nuk e di objekti i akuzës ndaj Ramush Haradinajn. Nuk e di nëse Haradinaj thirret për të folur apo për të qenë i pandehur. Fatkeqësisht kemi shumë politikanë dhe pak burra shteti. Di që Haradinaj do të përballet në mënyrë dinjitoze. Ai bëri hapin e parë të dinjitetshëm më dorëheqjen. Haradinaj dallon nga politikanët, por është një burrë shteti”, u shpreh më tej Panariti.

Për Panaritin, e interesuar për dialog është Kosova dhe jo Serbia. Sipas tij, pas dialogut, shteti serb do ta njohë Kosovën.

“Në thelb, Serbia nuk është interesuar për dialog. Për dialog është interesuar Kosova dhe qytetarët e saj. Unë jam i bindur se brenda këtij viti, Kosova do të njihet nga Serbia. U arrit Marrëveshja e Prespës dhe Maqedonia ndryshoi emër. Kështu, edhe Beogradi e Prishtina do të bëjë marrëveshje besoj e brenda vitit Kosova do të njihet nga Serbia. Shqipëria duhet të bëjë kujdes, të mos përfshihet direkt në dialog. Shqipëria do e mbështesë Kosovën. Shqipëria s’ka pse të hyjë në dialog, sepse kështu Beogradi e ul Kosovën, ndërsa dialogimi duhet bërë mes dy shtetesh të pavarura si Serbia e Kosova’, deklaroi Panariti.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb