Nga VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Duke dëgjuar ankesat e fermerëve gjatë takimeve të përjavshme në zona të ndryshme të vendit Kryeministri Rama ngarkon me përgjegjësi drejtorët e drejtorive rajonale të cilët i ka akuzuar si të përgjumur. Por ndryshe mendon ministri i Bujqësisë Edmond Panariti. Për t’i dhënë një përgjigje kryeministrit, Panariti i ka mbledhur ata në një takim për t’u përçuar vlerësimet për punën në terren.

“Pa ju dhe pa rolin tuaj, Ministria e Bujqësisë nuk do të kishte kuptim, ndaj dhe për këtë jemi sot këtu, për të diskutuar për punën dhe problematikat që hasim çdo ditë, si dhe vështirësinë tuaj. Jemi këtu, që të flasim për nevojat tuaja, pasi e di që keni mjaft probleme, si në mungesë të theksuar stafesh, si dhe probleme në infrastrukturë”, u shpreh ministri.

Duke njohur vështirësitë me të cilat drejtoritë e rajonale përballen çdo ditë ministri Panariti u ka premtuar se në hartimin e projektbuxhetit të viti të ardhshëm do t’i propozojë ministrisë së Financave shtim të personelit në të 13 drejtoritë rajonale të bujqësisë.

“Do t’i kërkojë Ministrisë së Financave, për projektbuxhetin e vitit 2017, shtim të organikës së Drejtorive të Bujqësisë, pasi është i domosdoshëm shtimi i numrit të specialistëve në të 13 drejtoritë e bujqësisë”, tha ministri Panariti.

Pas këtij takimi Drejtorët e Bujqësisë i kërkojnë ministrit takim me Kryeministrit Rama, për të vënë në vend sikurse janë shprehur dinjitetin e tyre.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb