Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dha sot alarmin për gjendjen ku ndodhet bujqësia dhe fermerët. Sipas tij bujqësia po falimenton dhe qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për lehtësimin e barrës së fermerëve.

“Përditë e më tepër po bëhet e qartë se prodhimet e bujqësisë dhe të fshatit janë në vështirësi, qëkur qumështi po derdhet në rrugë. Mollët, patatet dhe qepët po flaken buzë rrugëve. Kafshët po dërgohen në thertore. Fermat po mbyllen. Ka një arsye dhe ka një shkak. Bujqësia te ne është e ngarkuar me taksat dhe tatimet më të lartat në Europë. Ajo nuk financohet. Fermerët nuk paguhen. Për rrjedhojë, nga mungesa e subvencioneve dhe nga taksat e tatimet më të lartat në Rajon dhe Europë, bujqësia po shkon drejt falimentit. Fermat po mbyllen, fermerët po largohen nga fshati dhe nga Shqipëria. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë sepse përndryshe falimenti do të karakterizojë të gjithë bujqësinë tonë dhe fshati do të zbrazet.”,- tha ai.

Panariti propozoi uljen e TVSH-së për fermerët nga 20 në 6%.

Ka një zgjidhje. Ka një rrugë. Kjo rrugë është heqja mbi barrën e fermerit dhe të fshatit të taksave dhe tatimeve asfiksuese. Ne propozojmë që TVSH-ja në shitje për prodhimet bujqësore të ulet nga 20% në 6%, aq sa e kanë dhe vendet e Bashkimit Europian. Kjo automatikisht do të çojë në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore vendase dhe natyrisht tregtimin e tyre me sukses në tregjet e vendit dhe në ato të huaja. Një tjetër masë e cila do ta lehtësonte shumë bujqësinë dhe për të cilët ne angazhohemi fort, është të rifillojë edhe njëherë pagesa direkte e fermerëve, bujqërve, për çdo krerë bagëtie që ata mbarështojnë, për çdo dynym sipërfaqe apo serash të kultivuara. Kjo do të bënte që kostoja e produkteve të freskëta të ishte e ulën dhe të konkurronte në mënyrë dinjitoze dhe prodhimeve importit.

“Një masë tjetër lehtësuese për prodhimin bujqësor, do të ishte që të bëhet vetëm me furnizim të prodhimeve të vendit, i gjithë rrjeti i shkollave, i spitaleve, i qendrave shëndetësore, i forcave të armatosura, i forcave të rendit, i azileve dhe në këtë mënyrë duke i dhënë prioritet furnizimit të këtyre qendrave me prodhimeve të vendit, ne do ti jepnim frymëmarrje tregtimit të një sasie të konsiderueshme të prodhimeve bujqësore. Së katërti, të ndalet importi i produkteve bujqësore që subvencionohen në origjinë, të cilat i marrin paratë në origjinë dhe marrin para së dyti kur tregtohen në tregjet tona, duke konkurruar në mënyrë të pandershme prodhimin vendas. Duke e çuar atë në prag të falimentit. Këto katër masa që janë lehtësisht të aplikueshme, do të bënin të mundur që fermeri të kishte një shpresë, që ferma të kishte një perspektivë, që prodhimi bujqësor të kishte një rrugëdalje për të dalë në tregjet e vendit dhe në ato ndërkombëtare. Duke qenë në këtë mes burim të ardhurash për fermerët, për fshatin, që do ta mbante të lidhur fermën dhe fermerin me vendin e tij, p0ër të mos marrë çantat dhe valixhet e emigracionit dhe për të mos e braktisur këtë vend”,- deklaroi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb