Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Pogradecit, znj. Diana Mile, zhvilloi sot takime me fermerët e fshatit Stropckë të komunës Dardhas, me fermerët e komunës Buçimas dhe Çerravë. Në këtë takim znj. Mile ishte e shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti si edhe nga e deleguara e LSI-së për Pogradecin, znj. Klajda Gjosha.


Ministri i Bujqësisë, z. Panariti, theksoi se zhvillimi i bujqësisë është e ardhmja e vendit, ndaj po i kushtohet një rëndësi shumë e madhe nga qeveria dhe pushteti lokal me reformën e re territoriale. Në fjalën e tij, z. Panariti u shpreh se kryebashkiakja e ardhshme e Pogradecit, znj. Diana Mile, ka një sfidë të madhe përpara pas datës 21 qershor dhe shprehu bindjen se do të mbështesë fermerët.

“Krijimi i një shoqate fermerësh, të cilën Diana e ka premtuar, është një hap shumë i rëndësishëm për t’i bashkuar ata, në mënyrë që të punohet toka me një çmim të leverdishëm, në mënyrë që fermerët të organizohen drejt një kulture të caktuar prodhimi dhe të jenë të mirë orientuar ndaj tregut”, tha z. Panariti.

Ministri nënvizoi se rëndësi do t’i jepet edhe ujitjes së tokave bujqësore për të garantuar një administrim sa më të efektshëm. “Bashkia e re do të ketë një sektor të veçantë për kullimin dhe vaditjen, pasi me ligjin e ri kjo kompetencë i ka kaluar pushtetit lokal, ndaj sërish unë jam i bindur se Diana, do t’i kushtojë vëmendjen më maksimale administrimit sa më të mirë dhe efektiv”, u shpreh Ministri i Bujqësisë.

Kandidatja Aleancës për Shqipërinë Evropiane, znj. Diana Mile theksoi se dy shtyllat kryesore të programit të saj për zhvillimin e Pogradecit janë turizmi dhe bujqësia dhe se do të punojë për t’i orientuar ato në drejtimin e duhur. “Në Pogradec turizmi dhe bujqësia duhen parë si të lidhura me njëra tjetrën, ndaj ne duhet të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur fermerët. Është detyrimi jonë kundrejt jush, t’ju krijojmë kushtet për të promovuar produktet e zonës, për të çuar bujqësinë në drejtimin e duhur”, u shpreh znj. Mile.

Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, premtoi se zhvillimi i agroturizmit në të 7 komunat e Bashkisë së Pogradec do të jetë prioritet i punës së saj.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: