FIER- Ministri i Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti tha në një lidhje telefonike për News24 se sot ka filluar dezinfektimi i trupave të kafshëve të ngordhura nga përmbytjet me qëllim parandalimin e përhapjes së epidemive. Panariti deklaroi se tashmë është siguruar edhe baza ushqimore për bagëtitë e shpëtuara, pasi edhe nga Kosova ka sjellë 100 ton ushqim për to. Panariti pohoi se ka patur një takim me blegtorët dhe barinjtë, të cilëve u ka premtuar se do të kompensohet çdo kokë e bagëtive të humbura.

“Kam qenë në Ferras dhe në Bishan. Kjo ditë na krijoi mundësinë për të kryer ndërhyrje në terren, trupat higjieno-sanitare kanë filluar marrjen e masave për trupat e pajetë të kafshëve në vend. U dezinfektuan kafshët e ngordhura dhe u bë groposja e tyre për të parandaluar ndonjë infeksion. 15 ton ushqime për bagëtitë e shpëtuara kanë ardhur tashmë. Nga Kosova u futën disa kamionë me rreth 100 ton koncentrat silazh dhe hime, e gjithë nevoja është plotësuar. Pata një takim me barinjtë dhe blegtorët dhe u garantova që çdo kokë e bagëtive do të kompensohet sapo të kemi një bilanc. I garantuam këta barinj, që për hir të së vërtetës kanë pësuar një dëm të madh se do të dëmshpërblehen. Me këtë kompensim financiar do të mundësojmë që jo vetëm tufat të kthehen në numrin e mëparshëm por edhe të shtohen”, u shpreh Panariti.

Duke u ndalur tek bilancet, Ministri i Bujqësisë tha se afërsisht 2000 krerë bagëti të imëta kanë ngordhur, 40 lopë dhe rreth 36 mijë krerë shpëndë. Ministri Panariti paralajmëroi se në darkë do të ketë rikthim të reshjeve.
“Nuk janë tërhequr ujërat plotësisht por përllogarisim afërsisht 2000 krerë bagëti të imëta, 40 krerë lopë, 36 mijë krerë shpendë. Kemi edhe disa koshere bletësh dhe disa derra. Jemi të vendosur të kryejmë kompensimin e plotë financiar. Nga darka e sotme do të kemi rikthim të reshjeve vetëm nga data 10 e tutje do të kemi kohë të mirë, por të gjithë specialistët janë të përqendruar në këto zona. Po ndihmojmë ato bagëti që janë në tokë të thatë, nuk kemi situatë emergjente për kërcënimin e jetëve njerëzore”, tha Panariti.
Ai shtoi se po punohet me argjinaturat duke i mbathur me inerte e zhavorr. A ka vend për përforcimin e argjinaturave. “Ka dëmtime të argjinaturave, por situata është e përballueshme. Ndërhyrja bëhet në kohë të thatë, jo në shi. Ku kemi pasur dëmtime, në po bëjmë mbathje provizore me inerte e zhavorr, ndërhyrje të plota në verë”, tha Panariti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: