Ministri i Bujqësisë konfirmoi në një lidhje telefonike për News24 pezullimin e dy punonjësve të Drejtorisë së Bujqësisë si dhe deklaroi se janë çuar për ndjekje penale. Panariti tha se ndodhet në zonat e përmbytura pikërisht për të verifikuar në terren, punën që po bëhet si për shpërndarjen e ndihmave edhe për vlerësimin e dëmeve.

“Jam në krye të operacionit të shpërndarjes së ndihmave dhe vlerësimit të situatës në terren, situata po hetohet me përgjegjësi, po inspektohet gjithë zona. Natyrisht ka njerëz të papërgjegjshëm, të cilët nuk kanë qenë as anëtarë të Komisionit të Vlerësimit, ishin të vetëemëruar, unë nuk pata hezitimin ti pezulloj dhe ti dërgoj për ndjekje penale. Me ata po merret hetuesia, unë kam të tjera probleme për të ndjekur. Janë prefektët ata që janë në krye të komisionit të verifikimeve, janë kryepleqtë, janë edhe të ngarkuar nga drejtoria e bujqësisë dhe organet e tjera që merren me këtë situatë. Në fakt kryepleqtë janë përfaqësues të fshatit, caktohen nga prefekti, përfaqëson interesat e fshatit, por kërkohet përgjegjshmëri dhe dhëniellogari. Jam pranë Novoselës dhe do të jem prezent dhe do të kërkoj llogari për mënyrën se si bëhet vlerësimi për kriteret. Po ndjek edhe procesin e shpërndarjes së ndihmave edhe për njerëzit edhe për bazën ushqimore për kafshët. Mund t’ju them që e kemi siguruar bazën ushqimore për kafshët, një pjesë është në magazina dhe një pjesë po shkon drejt zonave të përmbytura. Ndaj jam edhe në zonat e përmbytura, ku po shikoj si po shpërndahen ndihmat ushqimore”, tha Panariti.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: