Ish-ministri i Bujqësisë në kohën e Ramës, Edmond Panariti i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 ka deklaruar se në kushtet e një ngërçi politik, është paradoksale të flasësh për zgjedhjet lokale.

“Zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen në rast se ekziston klima që kjo të ndodhë. Por në rastin konkret nuk mendoj që është ashtu, pa u zgjidhur ngërçi i madh politik është paradoks të zhvillohen zgjedhjet”,- tha ai.

Panariti nuk nguroi të sfidojë kryeministrin Rama në lidhje me zgjedhjet e parakohshme.

“Unë e vë veten në pozicionin e tij, do të tërhiqesha në këtë situatë. Nëse ai i fiton zgjedhjet bujrum bëji zgjedhjet, deklaro zgjedhjet e parakohshme dhe garanto kushtet. Nuk duam të marrim pushtetin në tavolinë, i takon atij të shfryjë këtë situatë”,- tha ai ndër të tjera.

Sa për situatën e krijuar me fermerët, të cilët po derdhin qumështin rrugëve për shkak se industria përpunuese nuk merr rimbursimin e duhur për produktin që merr prej tyre, Panariti tha se kemi të bëjmë qartë me një trajtim diskriminues të shtetit shqiptar.

“E lexova drejt protestën e tyre. Kishin një mesazh për qeverinë: Nuk jeni në krahun tonë. Për herë të parë fondet për subvencionim janë më të ulëta se një vit më parë. Ne e kemi TVSH 20% kur Italia e Greqia e kanë me 5 apo 6%. Një bidon me qumësht shitet më lirë se një bidon ujë. Për shkak se nuk rimbursohen fabrikat e grumbullimit të qumështit ua faturojnë fermerëve këtë barrë. Prodhimit vendas po i bëhet një trajtim diskriminues”,- sqaroi ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb