Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë në një intervistë për “GSH” se institucioni që ai drejton po ndjek një model zhvillues, i cili ka dhënë rezultatet në rritjen e prodhimit dhe eksporteve. Në bilancin e punës së tij, Prof. Dr. Panariti bën edhe një krahasim të punës si ministër Bujqësisë dhe detyrës si ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Si paraqitet gjendja e bujqësisë shqiptare ? Cilat janë disa nga treguesit e ecurisë së saj?
Për të gjykuar se ku ndodhet bujqësia shqiptare në vitin 2016, parë kjo jo në krahasim me vitin 2013, por me një vit më parë, pra me vitin 2015, po ju vë në dispozicion disa statistika, që vijnë nga doganat shqiptare, të cilat regjistrojnë çdo kg produkt që kalon kufirin dhe që më pas u drejtohet tregjeve të huaja. Janë këto të dhëna, të cilat tregojnë për ecurinë e eksporteve të artikujve bujqësorë dhe që flasin njëkohësisht në mënyrë të tërthortë edhe për prodhimin bujqësor në tërësi.
Këto rezultate mbresëlënëse janë kurorëzimi i modelit tonë të zhvillimit të bujqësisë, i orientuar dhe i lidhur me tregun, ose i bujqësisë me porosi. Ky është edhe efekti i reformave të thella të ndërmarra në këtë sektor, si dhe i orientimit të mençur të fondeve publike dhe të donatorëve.
Mjaft të përmendim se në fund të qershorit të vitit 2016, Shqipëria eksportoi dy herë më shumë fruta, 28% më shumë perime, dy herë më shumë qepë, 2.4 herë më shumë patate, tri herë më shumë mollë, 17% më shumë bimë mjekësore, trefishoi eksportin e vezëve, duke eksportuar për herë të parë edhe vezë të kategorisë A, ose ndryshe dërgoi vezë të freskëta edhe në vende të Bashkimit Europian. U eksportuan 52% më shumë peshk i përpunuar në krahasim me një vit më parë.
E përllogaritur në vlerë monetare për njësi prodhimi të eksportuar dhe të shumëzuar me çmimin e referencës për njësi, rezulton se bujqësia shqiptare në tërësinë e saj futi në ekonominë kombëtare, por edhe në atë individuale, plot 50 milionë dollarë më shumë të ardhura në krahasim me një vit më parë. Shqipëria gjatë vitit 2016 importoi 7.8% më pak prodhime bujqësore nga jashtë, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar në fushën e bujqësisë. Në vitin 2013, ne dispononim 1000 ha sera diellore, në qershor të vitit 2016 kemi arritur në rreth 2417 ha, sera. Po kështu janë thuajse dyfishuar pikat e grumbullimit, magazinat frigoriferike, linjat e përpunimit, paketimit dhe të kalibrimit, duke u dhënë vlerë të shtuar prodhimeve tona bujqësore. Janë futur për herë të parë në sistemin e vaditjes 60.000 hektarë tokë, si dhe është përmirësuar ujitja në 110.000 hektarë të tjerë. U ndërtuan gjatë vitit 2016, 17 vepra të mëdha arti, si diga, e argjinatura në luginën e Vjosës të cilat disiplinuan ujërat e lumit duke parandaluar dhe zbutur efektin e përmbytjeve. Filloi dhe është drejt përfundimit kompensimi financiar i fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet. U restauruan dëmtimet në serat dhe stallat e dëmtuara nga përmbytjet e fillimit të 2015-ës. Gjatë vitit 2016 u futën për herë të parë në skemën e sigurimit të prodhimeve dhe të investimeve në bujqësi 800 fermerë. Rreth 70 prej tyre në më pak se dy muaj pas sigurimit, përfituan rimbursim të plotë nga dëmet e shkaktuara nga breshëri në fillim të korrikut të këtij viti. U miratua dhe po zbatohet paketa e lehtësimit dhe nxitjes së bujqësisë, reforma e veterinarisë dhe ajo e sigurisë ushqimore. Në vitin 2016, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që përfundoi vaksinimin total të gjedhëve ndaj sëmundjes virusale të rrezikshme dermatoza nodular, duke shpëtuar nga asgjësimi më shumë se 250.000 krerë gjedhë.
Me çfarë vështirësish dhe pengesash përballet bujqësia dhe si mendoni t’i kapërceni ato?
Ulja e kostos dhe rritja e konkurrueshmërisë në tregjet e vendit dhe në ato të huaja mbetet një ndër vështirësitë dhe sfidat e bujqësisë. Këtu përfshihen rimbursimi në kohë i tatimit mbi vlerën e shtuar për prodhimet e dorëzuara në pikat e grumbullimit, lehtësim dhe nxitje fiskale për lëndët e para, linjat teknologjike dhe në mekanikën bujqësore. Sfidë e hapur mbetet edhe kreditimi i bujqësisë me norma të ulëta të interesit. Këtë vit, nëpërmjet futjes për herë të parë të fondit të garancisë për kreditimin e bujqësisë, pritet që të injektohen në prodhim bujqësor dhe në agropërpunim rreth 50 milionë euro, duke rritur ndjeshëm kreditimin e këtij sektori nga bankat e nivelit të dytë dhe institucionet e mikrofinancës.
Si e vlerësoni performancën tuaj në krye të Ministrisë së Bujqësisë? Keni pasur më shumë rezultat kur ishit ministër i Jashtëm apo tani që jeni ministër në atë fushë ku ju keni shpenzuar një jetë profesionale të gjatë duke studiuar dhe hulumtuar?
Për performancën time në drejtimin e bujqësisë dhe të diplomacisë shqiptare duhet të gjykojnë të tjerët, por më lejoni modestisht të shprehem, se nuk më rezulton që bujqësia të ketë përjetuar ndonjëherë më parë një hop të tillë zhvillimi dhe transformimi që nga fillimet e tranzicionit shqiptar. Treguesit janë aty transparentë, objektivë dhe të matshëm e të lexueshëm nga të gjithë. Gjatë drejtimit të diplomacisë për një periudhë 9-mujore, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës u konsoliduan dhe u zhvilluan më tej. Ato kulmuan edhe me vizitën zyrtare në Shqipëri të Sekretares Amerikane të Shtetit dhe kandidates aktuale për presidente, Hillary Clinton. Gjatë drejtimit tim të diplomacisë shqiptare, Shqipëria pati kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe e përmbylli atë me sukses të plotë nën moton: “Të bashkuar në diversitet”. Si kryetar i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, së bashku me presidentin e Asamblesë Parlamentare të KE, Mignon, vizituam vendet e Lindjes së Mesme për të kontribuar në instalimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike në vijim të revolucionit të pranverës Arabe. Përfundova me rezultate të matshme shumë takime zyrtare bilaterale me të gjithë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, si dhe vizita zyrtare me nënshkrim të marrëveshjeve të rëndësishme në Kinë, Australi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në pjesën më të madhe të vendeve të Lindjes së Mesme. Lobuam pa u lodhur duke u mirëkoordinuar me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hoxhaj për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin kosovar, etj. Prita në një takim zyrtar në Tiranë, ministrin e Jashtëm të Serbisë Mrkiç dhe i kërkova njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe denoncimin e krimeve në Kosovë të kryera atje nga regjimi i Millosheviçit. Futa për herë të parë në formatin zyrtar të bisedimeve me Greqinë, çështjen çame. Gjatë drejtimit tim, diplomacia shqiptare reagoi prerazi dhe me vendosmëri ndaj provokimeve nacionaliste, luftënxitëse dhe raciste të eksponentëve të Agimit të Artë në Greqi, duke shpallur madje dhe “person non grata” dhe ndaluar hyrjen në territorin shqiptar të deputetit të Agimit të Artë, Kristos Papas. U përmirësuan dhe u forcuan edhe më shumë marrëdhëniet me Greqinë dhe u nënshkruan një sërë marrëveshjes, ku një ndër më të rëndësishmet ishte edhe ajo e Gazsjellësit Transadriatik, etj.. Rivendosëm dialogun për çështjen e ujërave detare, ku kërkova respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e marrëveshjes detare të vitit 2009, duke shprehur njëkohësisht vullnetin dhe dëshirën për rinegocimin e modaliteteve për arritjen e një marrëveshjeje të re të mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe në të drejtën e detit dhe atë ndërkombëtare. U trajtuan me shumë transparencë dhe në frymë konstruktive shumë probleme të marrëdhënieve me fqinjët.
Çfarë masash po merrni në fushën e ujitjes dhe të kullimit dhe a pritën të jenë ato të efektshme, sidomos në përballjen me rrezikun e përmbytjeve?
Investimet në sektorin e ujitjes, kullimit dhe të mbrojtjes nga përmbytjet kanë qenë të jashtëzakonshme. Të gjithë hidrovoret janë në gatishmëri të plotë dhe unë sapo përfundova personalisht inspektimin dhe verifikimin e gjendjes së tyre. Janë thelluar dhe mbathur me dhjetëra kilometra kanale parësore, janë ndërtuar diga dhe argjinatura, janë rehabilituar ujëmbledhës. Ndërhyrjet e kryera në infrastrukturën e kullimit dhe të mbrojtjes nga ujërat ofrojnë më shumë siguri në përballjen e situatave të shirave dhe të përmbytjeve në vjeshtë dhe dimër. Këtë vit bujqësia shqiptare nuk vuajti nga stresi i ujitjes, kjo edhe në sajë të reformës së re në këtë sektor, e cila përmirësoi ndjeshëm administrimin e burimeve ujore. Për këtë arsye kemi një rritje të rendimenteve dhe të prodhimit në të gjitha kulturat bujqësore.
Çfarë vendi zë turizmi rural dhe çfarë është bërë konkretisht në lidhje me zhvillimin e projekteve të turizmit rural të qëndrueshëm, në mënyrë që ky i fundit të jetë pjesë integrale e strategjisë kombëtare të turizmit?
Martesa më e suksesshme e bujqësisë është ajo me turizmin. Ky është modeli ynë i zhvillimit, i orientuar veçanërisht në zonat kodrinore dhe malore, ku po shohim një lulëzim të fermave agroturistike, të cilat po mbështeten veçanërisht me projektin e zhvillimit të bujqësisë në zonat pak të favorizuara, i cili synon kryesisht zhvillimin e agroturizmit në këto zona. Ky projekt me një vlerë prej 13 milionë eurosh dhe i nënshkruar me homologun tim, ministrin danez në fund të vitit 2013, i ka dhënë hov krijimit të këtyre fermave agroturistike, kryesisht në Shqipërinë Qendrore dhe Veri-juglindore. Vetëm në qarkun e Tiranës numërohen rreth 34 ferma agroturisitike, të cilat krahas prodhimit bujqësor, integrojnë edhe hoteleri, gastronomi unikale, aktivitete rekreacionale dhe zbavitëse, etj. Pikërisht në këto ferma, ne po krijojmë dhe certifikojmë prodhimet bujqësore të markës, ato organike dhe të origjinës gjeografike të kontrolluar.
Si është aktualisht situata e industrisë së peshkimit dhe industria e prodhimeve të detit në Shqipëri?
Padyshim Shqipëria disponon industrinë më të zhvilluar të peshkimit në Ballkanin Perëndimor. Rritja e vrullshme e eksporteve të peshkut të përpunuar, kryesisht të açugeve dhe të sardeleve është një dëshmi. Po rriten ndjeshëm edhe investimet në akuakulturë, ku kemi krijim të impianteve të rritjes së kocës dhe levrekut në jug dhe stabilimente të rritjes dhe kultivimit të troftës, kryesisht në qendër dhe në veri. Kemi disiplinuar kriteret e shfrytëzimit të trupave ujore detare dhe liqenore për peshkim. Kemi ndaluar me ligj dhe me penalitete të rënda vjeljen e llojeve të ndaluara të peshqve dhe molusqeve. Sfida jonë mbetet rritja e kapaciteteve të peshkimit, duke fuqizuar dhe modernizuar flotën tonë të peshkimit, si dhe investimet në shërbimet mbështetëse të peshkimit si tregjet, portet e peshkimit dhe kantieret e riparimit të anijeve.
Shpërndarja e naftës pa taksë qarkullimi dhe karboni për anijet e peshkimit i ka dhënë frymëmarrje sektorit, duke ulur ndjeshëm kostot dhe rritur konkurrueshmërinë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: