FIER- Ministri i Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ashtu si përgjatë gjithë ditëve të përmbytjes ka qenë edhe sot në Fier e Vlorë, në krye të operacioneve për marrjen e masave, shpërndarjen e bazës ushqimore për bagëtitë, shpërndarjen e ndihmave për banorët dhe evidentimin e dëmeve. Në një lidhje telefonike për News24, ministri Panariti tha se situata e emergjencës është drejt mbylljes, ndërsa sot në qendër të punës është ndihma për blegtorinë.


Panariti informoi se deri tani janë grumbulluar dhe groposur trupat 500 bagëtive të ngordhura, ndërsa numri total i tyre shkon në 2100, ndërsa qeveria ka vendosur kompensimin 100% të tyre. Gjithashtu ministri tha se dëme të mëdha ka edhe në sera, ku po bëhet verifikimi. Panariti theksoi se njëkohësisht po negociohet me Bankat për të krijuar lehtësira për fermerët që kanë marrë kredi. Lidhur me këtë ai tha se bëhet fjalë për faljen e interesave për një periudhë 1-2 vjeçare.


“Jam duke shkuar drejt Fierit e më pas drejt Vlorës, Situata e emergjencës në përmbyllje e sipër. Duhet të rehabilitohemi në përmirësimin e gjendjes. Sot do të fokusohemi tek shpërndarja e bazës ushqimore për blegtorinë, hime e silazh. Në krye të operacionit jam unë dhe prefektja e Vlorës. Ekipet e bujqësisë janë në terren, për të grumbulluar trupat e bagëtive që kanë ngordhur dhe që nga tërheqja e ujit po dalin. Deri tani janë përpunuar e groposur 500 trupa. Në total janë rreth 2100 bagëti të mbytura. Po hartohet lista sepse qeveria shqiptare ka vendosur të kompensojë 100% fermerët. Po bëjmë verifikimin e dëmtimeve në sera, edhe në kultura edhe në infrastrukturë. Kam pasur kontakt të vazhdueshëm me bankat, për lehtësirat që do tu krijojnë fermerëve. Bëhet fjalë për faljen e interesave për një periudhë 1-2 vjeçare. Po na duhet të bëjmë verifikimin korrekt. Këto janë në fokusin tonë sot. Kemi edhe më tepër seç duhet bazë ushqimore. Tani ne duhet të organizohemi për të çuar ushqimin sa më shpejtë tek banorët, tek barinjtë. Kjo është urgjencë, sepse kafshët janë të uritura. Edhe shërbimi veterinar do të bëjë të mundur dhënien e medikamenteve përkatëse”, tha Panariti.


(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: