TIRANË- Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ka shuar sot zërat për një rritje të mundshme të çmimit të miellit apo bukës. Pas një takimi që pati me biznesin e miellit, Panariti tha se krijimi i rezervave stok të miellit është një nga mundësitë për të mos lejuar rritjen e çmimit të miellit, ndërsa është diskutuar me biznesmenët edhe për krijimin e lehtësirave fiskale. Ministri Panariti tha se aktualisht ka një rezervë stok mielli për një muaj dhe po tentohet që ky stok të shkojë në 2-3 muaj.

“Në momentin që flasim nuk kemi absolutisht asnjë lloj rritjeje të çmimit të miellit apo të bukës, por ne duhet ti dalim përpara situatave përpara se të kapemi nga ato. Ka disa masa, së pari duhet rritur rezerva stok e miellit. Praktikisht ne kemi një rezervë stok mielli prej një muaji furnizimi të pandërprerë. Diskutuam për mundësinë që kjo rezerve të shkojë 2 deri në 3 muaj, në mënyrë që të kemi të gjitha mundësitë për të futur në treg sasi mielli për të kundërbalancuar një rritje eventuale që çmimit të miellit në tregjet ndërkombëtare . Nga ana tjetër u diskutuan edhe opsione të tjera, për sa i përket disa lehtësirave fiskale lidhur me miellin e importuar, njëkohësisht u diskutuan edhe për opsionet e tjera, ndoshta kursi i konvertimit lek-dollarë për miellin që të mbahet në mënyrë të kontrolluar, por kjo është për tu diskutuar, është një ide që u hodh nga prodhuesit e miellit”, tha Panariti.

I pyetur për embargon e vendosur nga Rusia, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti tha se “është në sovranitetin e Rusisë të aplikojë tarifa”, por kryesorja është çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për kundërbalancuar këto tarifa.

“Sasitë më të mëdha të miellit në vendin tonë, importohen nga Rusia, për shkak të çmimit. Ne importojmë rreth 140 mijë ton në vit. Është në sovranitetin e Rusisë, të aplikojë tarifa, kësaj nuk kemi ç’ti bëjmë ne, kryesore është çdo bëjmë ne për të kundërbalancuar këto tarifa, qoftë në kuptimin e gjetjes së operatorëve të tjerë, nga ku mund të importojmë për të zbutur tarifat, qoftë edhe masat që përmenda më parë krijimi i rezervave stok, dhe aplikimi i lehtësirave fiskale. Për sa i përket embargos me Rusinë, shpresoj jemi në rrugë të mbarë, kemi kontakte, shpresoj ta hapim eksportin me Rusinë, jo vetëm për perimet por edhe për produktet me origjinë shtazore”, përfundoi deklaratën e tij Panariti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb