TIRANË

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka qenë sot e ftuar në emisionin “Real Story” në News24 për të bërë një bilanc të një viti pandemi të COVID-19.

Manastirliu deklaroi se ka qenë një vit frenetik që na ka mësuar shumë, por sipas saj lufta nuk ka përfunduar, megjithatë ajo tha se shquhet qartë drita në fund të tunelit.

“Një vit marramendës, frenetik, i cili na ka mësuar shumë dhe që na ka mësuar një mësim jete që me të panjohurat duhet të dish si të sillesh, të marrësh vendimin e duhur në kohë ne duhur dhe është fat kur ke ekipin e duhur, ashtu sikurse sistemi shëndetësor pati armatën e mjekëve dhe investimet e duhura në sistemin shëndetësor. Nëse bënim një bilanc të një viti, lufta ende nuk ka përfunduar, ndaj bilanci final do bëhet në fund të luftës. Tashmë shquhet më qartë drita në fund të tunelit. Fushata e vaksinimit ka nisur, 20 mijë vaksinime të kryera. Brenda kësaj jave përfundojmë vaksinimin e personelit shëndetësor. Kemi 8 qendra të vaksinimit. Po përgatitemi në një perspektivë shumë të shpejtë për planin e vaksinimit masiv për popullatën”, deklaroi ministrja.

Sa i përket vaksinave, ajo tha se përpos kontratave që tashmë janë të lidhura me Pfizer, priten javën e ardhshme vaksina dhe nëpërmjet COVAX të Astra Zeneca.
“Kanë ardhur 32 mijë vaksinat e para nga kjo kontratë me Pfizer, fillon nga e hëna një seri të tjera dozash, në prill, në maj dhe vijojmë me Pfizer për këtë kontratë, ndërkohë që presim javën e ardhshme, për fillimin e vaksinimit me Astra Zeneca, nëpërmjet instrumentit të COVAX. Do kemi 120 mijë doza deri në maj. Në total deri më sot kemi të kontraktuara 1 mln e 600 mijë doza. Po punojmë për kontrata të tjera, në mënyrë që vera të jetë një çlirim dhe një rifillim i kujdesshëm i normalitetit. Ne do ta arrijmë planin tonë për vaksinimin e plotë të popullatës në 14 muaj, por përsëri duhet të jemi të kujdesshëm”, deklaroi Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb