Pandemia i ka ulur ndjeshëm të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga puna jashtë vendit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga ky zë në Bilancin e Pagesave për 9-mujorin 2020 kishin vlerën e 155 milionë eurove, në rënie me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është njëkohësisht niveli më i ulët i pesë viteve të fundit.

Metodika e Bilancit të Pagesave klasifikon si të ardhura nga puna kompensimin e punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.

Në këtë kategori punonjësish përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë, të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës. Duket se kriza ekonomike e ka ulur kërkesën për punë jashtë vendit, ndërkohë masat kufizuese kundër përhapjes së Covid-19 e kanë vështirësuar lëvizjen ndërkufitare për qëllime të punësimit sezonal. Rënia më e fortë e të ardhurave nga puna ndodhi pikërisht në tremujorin e dytë të vitit, ku shumica e ekonomive europiane ishin nën efektin e masave kufizuese.

Të ardhurat nga puna kanë qenë një burim të ardhurash në rritje të vazhdueshme deri vitin e kaluar. Veç punësimit klasik sezonal, kjo mund të lidhet me zgjerimin e punësimit në distancë, kryesisht në formën e kontraktimit të shërbimeve outsourcing. Në këtë mënyrë, të ardhurat nga puna janë bërë një zë i rëndësishëm plotësues i remitancave në ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente të vendit. Për 9-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga puna përbënin rreth 42% të remitancave, ndërsa këtë vit pesha e tyre në raport me remitancat ka rënë në rreth 33%.

Siç parashikohej, kriza e lidhur me pandeminë e ka përkeqësuar pozicionin e jashtë të ekonomisë shqiptare këtë vit. Deficiti i llogarisë korrente për 9 muaj arriti në 806 milionë euro, në rritje me 8.5% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Deficiti në mallra, që është edhe faktori me ndikimin kryesor në këtë deficit, është ulur me 8.6%, kryesisht për shkak të rënies së importeve. Por, deficiti i llogarisë korrent është rritur për shkak të rënies së të ardhurave nga shërbimet, por edhe të të ardhurave parësore, ku përfshihen të ardhurat nga puna.

Burimi: BSH

/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb