Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij para shqiptarëve të New York-ut u shpreh se “sot Shqipëria nuk është më vendi i një kaste të fuqishmish mbi ligjin”, duke e quajtur një moment historik për vendin.

Ai nënvizoi se kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë një goditje vdekjeprurëse dhe se, për herë të parë, individë me pushtet politik po i nënshtrohen ligjit në mënyrë të barabartë.

“Kjo është një arritje e madhe për ne,” tha Rama. “Të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga pozita e tyre, kanë parë që njerëz të veshur me pushtet janë ndjekur nga drejtësia, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë tonë.” Ai përmendi rastet e mëparshme të dënuarve politikë, të cilët ishin nën presionin e një sistemi të manipuluar nga partia në pushtet.

Rama e quajti reformën në drejtësi një nga arritjet më të rëndësishme të qeverisë së tij, duke e krahasuar atë me proceset e ngjashme në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. “Ne kemi bërë atë që asnjë nga vendet e reja anëtare të BE nuk e ka bërë para se të hyjnë në Bashkim,” theksoi ai.

“Sot Shqipëria nuk është më vendi i një kaste të fuqishmish mbi ligjin dhe kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen vdekjeprurëse të historisë sonë, të parën qysh prej themelimit të shtetit në 1912-ën. Të gjithë shqiptarët edhe nëse s’janë historiane dinë aq histori sa nëse kthejnë kokën mbrapa, për herë të parë në vendin tonë, njerëz të veshur me pushtet politik i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë, pavarësisht pozicionit apo lidhjeve të tyre me politikën, qoftë në qeveri apo opozitë. Asnjëherë në historinë tonë një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, gjykuar apo dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika. Të gjithë ata që janë dënuar më parë, që nga ministrat e diktaturës, deri te ish-kryeministri Fatos Nano kanë qenë të dënuar politikë të një drejtësie që ka qenë e urdhëruar dhe manipuluar nga partia në pushtet. Sot historia e partisë në pushtet që kontrollon drejtësinë ka marrë fund. Unë jam krenar që me votën e shqiptarëve, ne PS, udhëhoqëm një reformë të thellë në drejtësi, që nuk e ka bërë asnjë nga vendet e reja anëtare të BE para se të hynte në BE, lëre pastaj nga vendet e rajonit”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb