Situata vijon të jetë kaotike në disa qytete të vendit, pas tërmeteve të njëpasnjëshme që kanë goditur sot Shqipërinë, që prej orëve të para të mëngjesit, ku goditja më fuqishme ishte ajo me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Pasojat më të mëdha janë në Durrës dhe Thumanë, por e dëmtuar është edhe Tirana. Kjo mbrëmje i ka gjetur qytetarët e kryeqytetit nëpër rrugë nga frika e tërmeteve.

Gazetarja Erjola Jata sjell në “BalkanWeb” pamje nga zona e “Bulevardit të Ri”, ku shihen me qindra qytetarë, që kanë braktisur banesat e tyre dhe kanë dalë për të kaluar natën jashtë.

Një pjesë e qytetarëve kanë marrë edhe batanije me vete dhe janë të vendosur për të qëndruar jashtë përgjatë gjithë natës. Lëkundjet e tërmetit vijojnë ende, ku vetëm pak më parë u regjistruan dy goditje të forta me magnitudë 4 dhe 4.7.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb