Një avion i linjës “Blue Panorama” që udhëtonte nga Tirana drejt Anconës ka kryer ulje të detyruar pak minuta pasi ishte nisur nga aeroporti i Rinasit “Nënë Tereza”. Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga një prej pasagjerëve, që tregon edhe minutat e tmerrit.

Ai thotë se ishin nisur normalisht në orën 07:00 të mëngjesit me një avion të linjës “Blue Panorama”, kur ndodhi defekti në ajër.

“U ngritëm normalisht, ishim në det, sapo kishim kaluar Durrësit kur pamë tym të dilte nga avioni, kabina u mbush me tym. Ishte tmerr, kishte edhe fëmijë që nisën të qanin”, tregon pasagjeri që preferon të mbetet anonim.

Në ato momente paniku, pasagjeri thotë se nuk janë lejuar të përdorin telefonat për të filmuar dhe se avioni ka bërë disa manovra të rrezikshme para se të ulet.

“Kabina u mbush me tym kur na njoftuan që do ulemi në Rinas për shkak të defektit. Avioni bëri disa lëvizje shumë të rrezikshme, thamë se u rrëzuam. Është i gjithë faji i avionëve të vjetër që sjellin në Shqipëri si të ishim bota e tretë. Pilotët na e shpëtuan jetën, nuk e di se si mundën ta ulnin atë avion në gjendjen që ishte”,- tregon ndër të tjera pasagjeri.

Prej gati dy orës 50 pasagjerët që prisnin të udhëtonin drejt Anconës janë ende në pritje në Rinas dhe askush nuk i ka lajmëruar se kur do të nisen.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: