VATIKAN-Papa Françesk sot mbajti fjalimin e tij të parë publik për Evropën, gjatë qëndrimit katërorësh në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg.

Në fjalimin e parë të liderit të Kishës Katolike në Parlamentin Evropian në 25 vitet e fundit, Papa Françesk ka theksuar se dëshiron ta “ripërtërijë” Evropën, që shihet si e moshuar dhe e lodhur.

Ai u tha sot anëtarëve të Parlamentit Evropian në Strasburg se BE-ja shpeshherë shihet si “gjyshe”, e cila nuk është “e frytshme dhe e gjallë” dhe ka kërkuar nga ata që ta ripërtrijnë fokusin e tyre në të drejtat e njeriut dhe “dinjitetin” e popullit.

Papa Françesk, po ashtu, u ka bërë thirrje vendeve evropiane, që të tregojnë pranim më të madh të imigrantëve dhe të mos lejojnë që Deti Mesdhe të bëhet “varrezë e madhe”, që ishte referencë për qindra refugjatë afrikanë dhe të Lindjes së Mesme, që e kanë humbur jetën në përpjekjet e tyre për të arritur në Evropë me anije.

Papa është shprehur se “idetë njëherë të mëdha” të Evropës, janë zëvendësuar me “burokraci”.

Kjo është vizita e parë e liderit të Kishës Katolike në Strasburg, pas vizitës që Papa Gjon Pali II e kishte bërë në vitin 1988.

Ndihmësit e Papës Françesk thanë se ai do të flasë për çështjen e papunësisë dhe imigracionit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb