Papa Françesku ka thënë të premten se Lojërat Olimpike do të mund të ofrojnë mundësi për unitet kombëtar në Francë. Ai i ka bërë këto deklarata pak para nisjes së këtyre Lojërave në Paris, më 26 korrik. “Shpresoj që organizimi i këtyre Lojërave do të jetë mundësi për të gjithë njerëzit në Francë që të kenë harmoni, të kalojnë përtej dallimeve dhe opozitës, dhe të lejohet forcimi i unitetit të kombit”, ka thënë Papa përmes një letre.

Thirrja e tij vjen në kohën e dallimeve të theksuara në politikën franceze, meqë zgjedhjet e kanë lënë vendin pa një rrugë të qartë për formim të Qeverisë.

Në thirrjen e Papës janë përsëritur thirrjet për arritjen e armëpushimeve në botë, në kohën e mbajtjes së Lojërave, të cilat i ka përshkruar si organizim “që natyrshëm sjell paqe dhe jo luftë”. Lojërat Olimpike do të përfundojnë më 11 gusht. Këtë vit, Kosova përfaqësohet me nëntë sportistë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: