Paparaci ka fiksuar në objektivin e tij këtë javë në Kuvend deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila ishte veshur tamam si një Barby. Ministri Ahmetaj është kapur teksa përkëdhel deputeten e partisë së tij, Vasilika Hysi, ndërsa Eduard Ndocajt i është shtuar edhe një shok kaubojs tjetër.

Çuçi shumë babaxhan me Nikollën
Një tjetër ministër me cilësi të spikatura afektive është edhe ai i pushtetit lokal, Bledi Çuçi. Nuk kanë munguar fotot e realizuara nga paparaci ynë para derës së Parlamentit, ku bisedat e tij Çuçi i shoqëron shpesh edhe me ndonjë gjest afektiv, si p.sh. përqafime. Ndërsa këtë të enjte, ai sapo ka parë ministren e Arsimit, Lindita Nikollën, ka nxituar që t’ia hedhë dorën në qafë. Mbase kolegia dhe mikja e tij nuk po kalon ditë shumë të mira, për shkak të incidentit me studenten, kështu që t’i tregosh që miqtë i ka gjithmonë pranë, është një ide e mirë.

Estradë në Parlament, deputetët përballen me dy “kaubojsa”
Kjo që shihni në foto nuk është pjesë e ndonjë komedie të luajtur në natyrë. Është as më shunmë e as më pak, por një situatë humoristike me të cilën u hasën të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë këtë të enjte, në oborrin e Parlamentit. Mirë që arriti të bëhet deputet një personazh atipik si Eduard Ndocaj, i cili vjen në Parlament me këmishë me lule dhe kapele “kaubojsi”, por sikur të mos majftonte kjo, këtë të enjte kishte dy të tillë, identikë!

Deputetët mbetën të shtangur nga ky klonim, teksa shikonin dy “kaubojsa” që vinin vërdallë në oborrin e Parlamentit. Por, në fakt, i dyti ishte një aktor, Ismet Drishti, i cili mbase për të realizuar ndonjë rol në televizionin e tij, kishte vendosur të vishej si deputeti “kaubojs”, Eduard Ndocaj, duke e imituar atë në çdo detaj, nga kapela, këmisha, mustaqet e deri te barku i madh. Të paktën ka humor mes deputetësh, kjo ka rëndësi!

Jorida Tabaku shkon në Parlament e veshur si Barby
Deputetja demokrate Jorida Tabaku është një nga zonjat më të pashme të Parlamentit. Zoti i ka dhënë bukuri, dhe plus kësaj është elegante në linja dhe ka moshë të re. Megjithatë, të gjitha këto nuk mjaftojnë për Joridën, e cila pikave të saj të forta i shton edhe një veshje të kuruar deri në detaje.

Tabaku së bashku me Majlinda Bregun janë deputetet, të cilat mezi pret t’i shohësh se çfarë kanë veshur dhe ato nuk zhgënjejnë asnjëherë. Por kësaj here Jorida me të vërtetë që kishte veshur diçka shumë mbresëlënëse. Fustan rozë të kombinuar me këpucë, çantë dhe pallto të një roze pak më të çelur. Ishte me të vërtetë një pamje që nuk linte askënd indiferent.

Arben Ahmetaj përkëdhel Vasilika Hysin
Që deputetët e maxhorancës shkojnë shumë mirë me njëri­tjetrin, kjo tashmë dihet. Janë me dhjetëra fotot që shkrep paparaci ynë ku shihen se ata nuk janë thjesht kolegë që e respektohen, por edhe miq të mirë, të cilët afeksionin nuk mungojnë t’ia shfaqin njëritjetrit në çdo rast.

Madje, kemi vënë re se kjo ndodh shumë, sidomos te ministrat. Mesa duket, puna e ministrit të vë në humor të mirë dhe kur je në humor të mirë, natyrshëm bëhesh më i dashur. Këtë herë paparaci ynë ka sjellë këtë foto, ku duket Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili nuk ka preferuar t’i japë dorën apo edhe ta përqafojë kolegen e tij, deputeten e majtë Vasilika Hysi. Ai në fakt e ka përkëdhelur në faqe si një fëmijë. Eh, pushteti ka sharm, ka magji, pushteti është dashuri, kjo është prova! /Panorama/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb