Opozita nuk zgjodhi të konfrontohej me pjesëtarët e Gardës në Kuvend, ndryshe nga seancat e fundit parlamentare. Një ditë para mosbindjes civile të shtrirë në të gjithë vendin, PD vendosi në mbledhjen e grupit parlamentar të dërgonte në Kuvend vetëm deputetët e papërjashtuar. Kujtojmë që Sekretariati i Etikës ka ndëshkuar 24 deputetë demokratë me dënime që variojnë nga 40 në 60 ditë. Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledjon Nallbati do të qëndrojnë 2 muaj jashtë seancave të Kuvendit. Edi Paloka mori dënimin më të butë, vetëm 10 ditë, ndërsa 19 të tjerët për 40 ditë nuk do të mund të ndjekin punimet e Parlamentit.
Mirëpo, situatat kaotike dhe përplasjet jashtë dyerve të Parlamentit i lanë sot vendin normalitetit, ndonëse barrierat e hekurit ishin po aty te shkallët, si tregues i gatishmërisë së atyre që ruajnë rendin brenda dhe përreth Kuvendit, për t’i paraprirë përplasjeve të mundshme.
Por opozita ndryshoi skenar dhe nuk preferoi të konfrontohej as me Gardën dhe as me deputetët e PS, siç bëri 2 javë më parë kur deputetët e përjashtuar tentuan të hynin në sallën e Kuvendit. Ndërsa jashtë Parlamentit u shënuan përplasje me Gardën dhe Policinë.
Por brenda sallës së Kuvendit opozita nuk ishte aq në paqe sa jashtë. Deputetët bllokuan foltoren, ndërsa në duar mbanin parkarta në anglisht “Free Berisha”, “Edi Rama Narcostate”, “Free and fair elections” etj.
Nënkryetari i Kuvendit, Blendi Çuçi tha në fillim të seancës se “gjatë kësaj jave në Kuvend janë depozituar 3 projektligje nga Këshilli i Ministrave si dhe projektligji për buxhetin 2025”. Deputetët miratuan në fillim të seancës procesverbalin e seancës plenare të datës 17 tetor. Në kuadër të javës që gjelbër, disa nga deputetët e mazhorancës diskutuan çështjet e evidentuara nga zgjedhësit e qytetarët në terren.
Seanca e Kuvendit zgjati vetëm 20 minuta.
(BalkanWeb)