Ditët e fundit, krahas njoftimeve mbi mbërritjen në Ukrainë të kontigjentit të shumëpritur të avionëve ushtarakë F – 16 tërheqin vëmendjen dhe deklarimet e Presidentit ukrainas Zelenski mbi angazhimin në një plan paqeje me Rusinë, që sipas tij do të diskutohet në Samitin e dytë të Paqes, ndoshta dhe me praninë e Rusisë e të Kinës në muajin nëntor. Eshtë lënë të nënkuptohet se ky plan nuk do të përjashtojë asnjë alternativë, madje as dorëzim territoresh; veçse ky i fundit pas një referendumi popullor, siç përcaktohet në Kushtetutën ukrainase.
Këto njoftime disi të habitshme vijnë gati një muaj mbas përfundimit të Samitit jubilar të 75 Vjetorit të themelimit të saj në Uashington, ku NATO u shpreh pa ekuivok për fitoren e Ukrainës. Aty u miratuan 40 Miliard Euro ndihma për Kievin për vitin 2025, dërgimi i 125 avioneve ushtarakë F – 16, i 5 sistemeve të mbrojtjes kundërajrore ” Patriot”, krijimi i Qendrës Komando në Wiesbaden për dërgimin e armatimit dhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas dhe shuma masa të tjera.
Gjithashtu, Samiti dërgoi sinjale premtuese mbi ”rrugën e pakthyeshme të anëtarësimit“ të Ukrainës në NATO kur të jenë krijuar kushtet e duhura”.
Ndërsa lidhur me temën e këtij shkrimi, në Samit u theksua se premtimet dhe projektet për paqe dhe armëpushim në kushtet e sotme janë utopike dhe praktikisht ”çojnë ujë në mullirin rus”. Vetëm lufta dhe fitorja e saj përfundimtare mund ta shkurajonte dhe detyronte Putinin të ulej pa kushte në tryezën e paqes.
Ndërkohë, Samiti i Uashingtonit u parapri nga disa veprimtari, forume dhe takime të zhvilluara në qershor kushtuar mbështetjes së mëtejshme ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës: Konferenca e donatorëve për rindërtimin e Ukrainës ( Berlin, 10 – 11 Qershor) Samiti i G- 7 ( Pulia, Itali, 13 – 14 Qershor) dhe së fundi Konferenca e Paqes ( Luzernë, Zvicër,15 -16 Qershor).
Me rezultate të njohura, ku spikatin ndihma prej 50 miliard Euro nga përqindjet e interesave të pasurive ruse në Europë, paketa e 14-të e sanksioneve europiane dhe ato amerikane ndaj 300 personave/firmave të lidhura me Rusinë, marrëveshja në fushën e sigurisë SHBA- Ukrainë, livrimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketore dhe të tjera.
Ja pse në këtë sfond mobilizues luftarak, propozimi për një paqe, madje të shpejtë me Rusinë, edhe pse tejet e dëshirueshme për Ukrainën dhe të gjithë tingëllon i çuditshëm. Çka të bën të mendosh se ndoshta në Kiev nuk po kuptohet se zgjatja pa afat e agresionit rus bën të pamundur çdo tentativë për paqe apo armëpushim.
Të kuptohemi drejt, ashtu siç po kërkohet përherë e më shumë në Ukrainë dhe në shumë vende të tjera 30 muaj mbas fillimit te agresionit rus kundër Ukrainës, vështirë të gjesh njeri që të jetë kundër paqes atje, madje ndoshta as Rusia dhe Putini. Problemi dhe halli më i madh e ku të gjithëve “ u ngec sharra në gozhdë” është se si, kur dhe mbi të gjitha, me çfarë kosto dhe kushte do arrihet kjo paqe, për tani dhe për një të ardhme të sigurt. Sepse nismat dhe projektet për paqe nuk kanë munguar. Kina, Brazili, Indonezia, Afrika e Jugut, vetë Ukraina dhe Rusia kanë dalë me kohë me projektet e tyre, të cilat janë diskutuar në Kiev, Moskë, Uashington, Bruksel dhe në metropole të tjera ndërkombëtare, por pa rezultat, kryesisht për gjendjen në front dhe synimet krejt të kundërta të Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit, duke mos lënë praktikisht asnjë hapësirë, sado të vogël për diplomaci dhe demarshe të vërteta dhe efektive paqebërëse.
Mesa duket, ashtu si në Samitin e Paqes në Luzernë dhe tani po shtrohet gabim ose parakohe çështja mbi hapat dhe procedurat që duhen ndjekur për « ta futur Rusinë në vallen diplomatike të paqes »! Kur, në fakt, çështja jetike është si ta mbrojmë Ukrainën dhe si të fitojë në frontin e luftës! Sepse jo me plane dhe premtime, por me pushkë mund të ketë paqe të qëndrueshme me Rusinë e Putinit!
Më konkretisht, dihet se kushti vendimtar dhe i panegociueshëm për këtë lloj paqeje të shumëdëshiruar është që Rusia të ndërpresë agresionin, të tërhiqet nga territoret e pushtuara më 2014 dhe mbas 24 Shkurtit 2022 dhe të japë garancitë e duhura se nuk do të përsërisë më sulme të tilla ndaj asnjë vendi tjetër. Ndryshe, siç e ka theksuar Nobelistja ukrainase e Paqes, Oleksandra Matviichuk “ kjo nuk do të ishte paqe, por pushtim dhe kapitullim për Ukrainën“.
Mirëpo, siç e shprehu dhe në propozimet e tij me kushte më 14 Qershor, Putini as që ka ndërmend të tërhiqet; për më tepër, veç kushteve të tjera të papranueshme për to, ai kërkon hapa gjeopolitike mbrapa nga Kievi, BE-ja dhe NATO.
Ndërkohë, në pikpamje politike dhe sidomos ushtarake, planet, propozimet dhe premtimet e tanishme për paqe, të cilat po e ritheksojmë në parim janë të drejta, në terrenin praktik do kishin kuptim dhe rezultate konkrete nëse Ukraina do të kishte shënuar përparime të qenësishme në terrenin e luftës, për të qenë në pozita diktuese, duke mos i lënë asnjë hapësirë dhe alternativë tjetër Putinit.
Mirëpo, Kievi duket se është larg kësaj faze, sepse pavarësisht nga disa aksione të suksesshme ukrainase dhe humbje mëdha që ka pësuar Rusia, kjo e fundit vazhdon të ketë epërsi në teatrin e luftimeve. Edhe në pikpamje gjeopolitike, Moska është e izoluar vetëm nga Perëndimi, ndonëse jo plotësisht dhe prej tij, por ajo ka në anën e saj Kinën, Korenë e Veriut, Iranin dhe vende të tjera të mëdha të BRICS, krerët e të cilës do të mblidhen në Samitin e radhës më 22-24 Tetor në Kazan, Rusi, e cila mban kryesimin e tij të radhës.
Shkakun tjetër madhor pse dhe plani i tanishëm i paqes është i parakohshëm, i dëmshëm dhe pa shans e shpjegon një ndër ekspertët më të njohur gjermanë të kësaj fushe, Alexander Rhotert, i cili shprehet: ”mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve. Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke e ulur atë në tryezë; sepse vetëm trysnia ushtarake i detyron diktatorët dhe agresorët të pranojnë paqen vetëm me kushtet tona”.
Nisur nga këto faktorë gjeopolitikë, eseisti dhe filozofi i shquar francez i kësaj fushe, Nicolas Tenzer me librin e tij më të ri “Lufta jonë – (Notre Guerre) tani kërkon me këmbëngulje zbatimin e “diplomacisë së luftës“ nga Perëndimi. Sipas tij ” lufta është e pashmangshme kur tjetri të kërcënon hapur se do të të shkatërrojë; atëhere ” nuk ka më vend për diplomacinë klasike, takime, propozime dhe ulje në tryeza diplomatike dhe plane paqësore; përkundrazi, gjithçka duhet kthyer dhe vënë në dispozicion të përgatitjeve për luftë pa kompromis kundër agresorit”.
Këtë realitet e ka sintetizuar muajt e fundit dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg; ai ka paralajmëruar Aleancën Perëndimore që “të përgatitet për një luftë e cila nuk dihet sa mund të zgjasë” e duke garantuar mbështetje të vazhdueshme dhe pa vonesa të tjera ushtarake për Ukrainën, sepse vetëm kështu “Putini do të bindet se nuk mund të fitojë dot as në fushën e luftimeve”.
Këto fakte dhe argumenta të bindin se tani nuk është koha për plane, propozime dhe samite për paqe; natyrisht demarshet diplomatike, siç po kërkohet gjithandej mund dhe duhet të vijojnë në kanalet e tyre, veçse pa bujë dhe pa zhurmë, që të mos kenë asnjë ndikim në dinamikën e luftimeve në front; në vijim të këtyre demarsheve diplomatike pse jo, mund të ketë dhe takime ekspertësh ose në nivele ministrore për të bërë bilancin e punës dhe për ecurinë e mëtejshme, por vetëm aq.
Le ta ritheksojmë se vendimtare për paqen e vërtetë është intensifikimi i luftimeve nga ana e Ukrainës, duke përfituar dhe nga ndihmat që vazhdojnë të mbërrijnë atje. Në fakt, duke mbrojtur Ukrainën, NATO mbron dhe vendet e tjera sovrane pro-perendimore dhe garanton” forcën e ligjit kundrejt ligjit të forcës”.
Këtu vlen të përmendet paralajmërimi i Stefanie Babst, ndër ekspertet më të njohura për sigurinë perendimore; gjatë periudhës 1998 – 2020 ajo shërbeu 22 vite rresht në selinë e NATO-s në Bruksel, si zyrtare, zv.sekretare e Përgjithshme dhe drejtuese e një ekipi civilo-ushtarak që merrej me strategjitë e sigurisë së NATO-s. Në një intervistë të javëve të fundit Babst thotë se ” Putini pret dhe synon shpërbërjen e gjithë Perëndimit”. Ashtu si dhe ekspertë të tjerë, ajo pohon se Putini nuk do të ndalet në Ukrainë, por duke parë dobësitë e Perëndimit, ai do të shkojë më larg në objektivin e tij strategjik për ringritjen e ish perandorisë së dikurshme sovjetike, duke filluar nga vendet Balltike, Polonia e më tej deri te Gjermania.
Së fundi dhe më e rëndësishmja, ekziston rreziku që në pritje të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, edhe pse ajo duket vetëm “ dëshirë e mirë” mund të pësojë rënie dhe dinamika e luftimeve në front. Sepse është tejet e vështirë që nga njera anë “të tundësh degën e ullirit” për paqe dhe nga ana tjetër të “ vringëllosh” armët për të përparuar sa më shumë në frontin e luftës.
Veç sa sipër, lind dhe pyetja tjetër e vështirë për t’i dhënë përgjigje të saktë nëse kjo paqe do të kërkojë paraprakisht dakordësimin për armëpushim ose ndërprerje të përkohshme të luftimeve? Ca më tepër nëse do të ketë një referendum nga Kievi lidhur me lëshimin apo këmbimin e territoreve, nëse do të vijë puna aty dhe gjasat janë që po. Apo dhe për të zgjedhur presidentin e ri, sepse Zelenskit i ka mbaruar mandati dhe Putini e ka kërkuar si kusht për bisedimet për paqen në fjalë?
Mirëpo një armëpushim apo dh “ngrirje e përkohshme” e luftimeve, siç aludohet në disa qarqe perendimore do të “tingëllonte muzikë” për Putini, mbasi do t’i mundësonte Rusisë të merrte frymë, të riorganizohej dhe të rigrupohej për goditjen e radhës. Dëshmitë më bindëse këtu janë ngjarjet që pasuan aneksimin e Krimesë. Në vitin 2015-2016, me ndërmjetësimin e Gjermanisë dhe Francës, Kievi dhe Moska nënshkruan dy marrëveshjet e Minskut për paqe. Mirëpo, përkundër naivitetit perendimor më 24 Shkurt 2022 Rusia kreu agresionin kundër Ukrainës.
Ndaj, pyetja tjetër e madhe tani shtrohet se kush del garant që Rusia nuk do të përsërisë të njëjtin skenar, këtë radhë me justifikime dhe arsye të tjera, për të cilat diplomacia ruse është e njohur? Ndaj, me të drejtë Annalena Baerbock, Ministrja e Jashtme gjermane në një intervistë të këtyre ditëve thotë se ” ne nuk mund t’i varim më shpresat te Putini”!
Siç mund të shihet, këto janë pikpyetje për çështje madhore për të cilat është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur të jepen përgjigjet e duhura për paqen e synuar. Le ta përsëritim, tjetër gjë do të ishte nëse Ukraina do ta kishte ” vënë përpara” Rusinë në vijën e frontit dhe në bisedimet për paqen do të shkonte me më shumë avantazhe, sidomos ushtarake, pra do të ishte ajo që do të diktonte ” rregullat e lojës”. Mirëpo, siç “duken bathët” kjo shpresojmë të ndodhë vetëm verën tjetër, mbas një kundërofensive të suksesshme ukrainase, por jo më parë. Vetëm atëhere Kievi mund të jetë në pozita cilësisht më të mira negociuese. Se problemi është që kur ti hyn në bisedime për paqe, duhet të jesh i hapur, i zhdërvjellët, të heqësh dorë nga disa pozicione që të fitosh të tjera, të jesh i gatshëm dhe i kujdesshëm për lëshime dhe kompromise të ndryshme me pasoja në të ardhmen.
A janë Ukraina dhe Perëndimi gati për këto sfida, lëshime dhe kompromise me të cilat mund të bëhej kjo paqe e kushtueshme dhe më tepër “nga halli”? Si shumë analistë, politologë dhe ekspertë të tjerë të huaj dhe vendas dhe unë druaj se jo.
(BalkanWeb)