Këtë të dielë pasdite u zhvilluan dy ndeshjet e fundit të javës së 14-të në elitën e futbollit shqiptar. Elbasani dhe Tirana barazuan 1-1, në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”.
Rasti i parë serioz i ndeshjes erdhi në minutën e 17-të, Lleshi “flirtoi” me golin, por e menjëhershme ishte përgjigja e portierit Selmani, i cili i tha jo. 5 minuta më pas, provoi Hila, por pa rezultat. Në pjesën e mbetur të fraksionit, ritmi nuk ishte i lartë, me të dy skuadrat që u treguan të kujdesshme. Pjesa e dytë ishte mjaft interesante, me emocionet që nuk munguan.
Në fillimin e pjesës së dytë, Tirana shënoi me Gjumshin, por festa zgjati pak, pasi goli u anulua. Arbitri anuloi golin e kryeqytetasve, duke akorduar penallti për Elbasanin, 11-metërsh që u përkthye në gol nga Hila. Ekipi i Maganit reagoi shpejt dhe barazoi shifrat me Dembele.
Me këtë rezultat, ekipi i Bordin mban vendin e pestë me 18 pikë, ndërsa Tirana është në vendin e shtatë me 15 pikë.
Partizani fitoi 1-0 ndaj Laçit, në ndeshjen e luajtur në “Arenën e Demave”. Autori i golit të vetëm të takimit ishte Keko, i cili realizoi në minutën e 57-të. Të kuqtë kryesojnë tabelën me 27 pikë, 2 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt. Kurbinasit janë në vendin e parafundit me 12 pikë.
(J.S/BalkanWeb)